Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ka bërë thirrje liderëve të Ballkanit Perëndimor që të refuzojnë propozimet e fuqive të jashtme dhe të kenë besim në ëndrrën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Edi Rama theksoi se ”Shqipëria nuk do të heqë dorë kurrë nga Evropa dhe nga BE-ja, cilado qoftë forma e BE-së në të ardhmen”, ndërsa thumbon politikanët e unionit që, sipas tij, janë shumë të ndikuar nga presionet nacionaliste.

Duke folur për ”Financial Times”, ai pranon se pritja është shumë zhgënjyese. Por, ndërsa Rusia, Kina dhe Turqia po i afrohen rajonit, Rama thotë se pretendentë të tillë, të cilët ai nuk i përmend, janë të papërshtatshëm.

”Të tjerët mund të sjellin para, investime, ndoshta edhe havjar, por nuk do të jenë në gjendje të sjellin atë që ju nevojitet për të ndërtuar një vend të lirë funksional”, thekson ai.

Këto vërejtje vijnë në një kohë kur Bosnje-Hercegovina po përballet me krizën e saj më serioze politike që nga përfundimi i luftës civile, 25 vjet më parë, e shkaktuar nga një rritje e negociatave secesioniste nga lideri i linjës së ashpër të entitetit serb të Bosnjes.

Rama thotë se është i shqetësuar për rritjen e nacionalizmit në Bosnje, por se nacionalizmi në BE tani ishte një pengesë më e madhe edhe për ambiciet e rajonit për t’u bashkuar me bllokun 27-anëtarësh.

”BE-ja nuk e ka marrë ende veten nga kriza e refugjatëve të vitit 2015, kur më shumë se një milion njerëz kërkuan azil në Evropë, kryesisht duke i ikur luftës në Siria. Që atëherë, BE-ja është shtyrë nga frika dhe jo nga aspiratat dhe qeveritë, edhe pse nuk janë ekstremiste në vetvete, janë të ndikuara nga ekstremet”, deklaron Rama.

”Kur Shqipëria filloi procesin e anëtarësimit, gati dy dekada më parë, çelësi ishte largimi nga nacionalizmi ballkanik, por sot, problemi ynë nuk janë nacionalizmat ballkanikë, janë nacionalizmat e BE-së. Ajo që po na pengon është ndikimi i nacionalizmave të BE-së në jetën politike të vendeve të rëndësishme të BE-së”, thekson ai.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut janë kandidatë për t’u anëtarësuar në BE, ndërsa Kosova dhe Bosnja janë kandidate potenciale.

Rajoni ka probleme të mëdha me korrupsionin dhe përkushtimin ndaj shtetit të së drejtës, por, siç la të kuptohet nga Rama, llogaritjet politike të anëtarëve të BE-së kanë luajtur gjithashtu një rol në vonesat në 18 vitet që kur blloku u zotua t’i lejonte të hynin pasi të kishin përmbushur kriteret.

“Shqiptarët kanë zhgënjimet e tyre me Brukselin, por kjo nuk e ndryshon bindjen se ne duhet të jemi atje”, tha ai.

”Ne i kemi konsumuar më parë të gjitha historitë e dashurisë dhe martesat”, shtoi ai në një referencë të nënkuptuar për lidhjet fillimisht me Rusinë dhe më pas Kinën që Shqipëria kishte në epokën komuniste.

”Ne po kërkojmë një martesë të re, jo të vjetrat. Por, sigurisht, kjo lloj martese është e vështirë”, thotë Rama.

Rama, në mandatin e tij të tretë, ka promovuar idenë e një tregu të përbashkët rajonal për të cilin ranë dakord të gjashtë vendet në nëntor 2020.

Në përpjekje për të përshpejtuar procesin, Shqipëria, së bashku me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nënshkruan për të zbatuar disa nga dispozitat.

”Nëse e bëjmë këtë në Ballkan, kjo do të jetë pengesa më e mirë kundër marrëzisë dhe nëse nuk e bëjmë, askush nuk do ta bëjë këtë për ne”, thekson ai.

Ai pranon se tri vendet e tjera janë ngurruese.

”Boshnjakët, sepse ata nuk mund të vendosin për asgjë, me sa duket, malazezët sepse janë ende nën iluzionin se mund të hyjnë në BE vitin e ardhshëm ndërkohë që çdo vit tjetër bëhet viti i ardhshëm… Kosova për shkak të problemeve me Serbinë, për të cilat mendoj se mund të trajtohen më mirë kur njerëzit të ulen dhe bisedojnë”, thotë Rama.

Për sa i përket Shqipërisë, e cila në 30 vitet e fundit ka kaluar një tranzicion të dhimbshëm për të rindërtuar ekonominë e saj pas rrëzimit të regjimit të saj të rreptë komunist, ai thotë se ”Shqipëria mund të jetë një vend ku njerëzit mund ta shijojnë jetën. Asnjëherë 100 për qind e disiplinuar, ku gjithçka do të funksiononte si një orë zvicerane apo gjermane, cilado qoftë, por asnjëherë e mërzitshme”./ATA