Numri i bizneseve, të reja të çelura për vitin 2021 llogaritet 16.090 biznese. Ekonomia shqiptare kaloi dy goditje, tërmetin e vitit 2019 dhe pandeminë e vitit 2020, të cilat kanë reflektuar në ecurinë ekonomike të vitit 2020, ndërkohë që për vitin 2021 raportohet për një një ecuri e cila ka qenë më e mirë se sa ajo e parashikuar në fillim të vitit.

Rritja ekonomike për vitin 2021, në bazë të informacioneve dhe të të dhënave të tërthorta që Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka, parashikohet të jetë në nivelin 8.6 %. Në një konferencë për mediat të mërkurën, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur se të gjithë sektorët e ekonomisë gjatë vitit 2021 kanë qenë në rritje.

“Nëse e ndajmë rritjen ekonomike në sektorë, ajo ka qenë gjithëpërfshirëse, ku të gjithë sektorët kanë treguar rritje dyshifrore, duke u nisur nga: industria e cila për 11 mujorin është rritur me 24.5 %; e ndjekur nga tregtia me 14.4 %; ndërtimi me 22 %, i cili është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike; duke e ndjekur nga aktivitetet financiare dhe të sigurimit; arte, argëtim dhe çlodhje, të cilat të gjitha kanë pasur një rritje dyshifrore. I vetmi sektor që nuk ka pasur ecuri të kënaqshme ekonomike është sektori i bujqësisë, por siç e kemi diskutuar edhe më parë, ky është një sektor që edhe gjatë vitit 2020 ka pasur një ecuri të mirë, pra përmban dhe efektin e bazës në të. Edhe numri i bizneseve, në linjë me zhvillimet ekonomike, ka ardhur në rritje ku numri i bizneseve të reja të çelura për vitin 2021 ka qenë 16.090 biznese”, tha ministrja.

Qeveria thotë se përmirësimi i mëtejshëm i terrenit ekonomik dhe klimës së biznesit është sfidë që vazhdon edhe në këtë faze të programit ekonomik të saj.