Eurodeputetja malteze Roberta Metsola është presidentja e re e Parlamentit Evropian. Metsola u zgjodh në votimin e parë me 458 vota pro.

Që nga e hëna, zgjedhja e Metsolës u cilësua si shumë e mundshme, duke qenë se kandidatura e saj mori mbështetjen e tre grupeve politike që janë pjesë e mazhorancës në Parlamentin Evropian.

Ajo në këtë post zëvendëson David Sassolin, i cili ndërroi jetë më 11 janar, ndërsa ishte ende në detyrë. Gjithsesi, Sassoli kishte mbërritur në fund të mandatit të tij.

Metsola është pjesë e krahut të moderuar të PPE dhe vitet e fundit ka spikatur mbi të gjitha për punën ndërmjetësuese me grupet e qendrës së djathtë dhe qendrës së majtë.

Metsola është e martuar me politikanin dhe menaxherin finlandez Ukko Metsola, nga i cili mori edhe mbiemrin dhe ka katër fëmijë.

43-vjeçarja hyri në Parlament në vitin 2013 dhe ishte një nga eurodeputetet e para të zgjedhura në Maltë. Para kësaj, ajo ishte një eksperte për të drejtën evropiane dhe nga viti 2012 deri në 2013 ka punuar si këshilltare e Përfaqësueses së Lartë për Çështjet Evropiane, Catherinë Ashton.