Rruga për në fshatin turistik të Thethit është e hapur, për turistët që dëshirojnë ta vizitojnë atë në këto dimri të mbuluar nga dëbora. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ndau sot një video nga pastrimi i rrugës nga katër borëpastrueset që janë në aktivitet të plotë. Balluku i bën gjithashtu apel turistëve të vizitojnë bukuritë mahnitëse të Thethit si dhe vendet e tjera të Shqipërisë.

“Në krye të detyrës, Thethi i hapur nga borëpastrueset e reja. Vizitoni Shqipërinë në çdo skaj”, thekson Balluku. Hapja e rrugës së Thethit nga dëbora u bë e mundur që në 28 dhjetor të vitit të kaluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, ndërkohë që vijon të mbahet e hapur. Për kalimin në këtë rrugë këshillohet që të përdoren goma dimërore dhe zinxhirë, pasi nga prania e akullit ka rrezik në lëvizjen e mjeteve.

Parku Kombëtar i Thethit, i ndodhur mes Alpeve në veri të Shqipërisë, me bukurinë mahnitëse që ka, tashmë është shndërruar në një panoramë ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës. Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.