Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla priti sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë Kryetarin e Partisë Alternativa në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashi.
Balla e uroi Gashin për vendimin për të qenë pjesë koalicionit të ri qeverisës.
Sipas Ballës asnjëherë më parë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë pasur një përfaqësim të barabartë në përbërjen e qeverisë si sot.
“Kënaqësi të prisja në Kryesinë e Kuvendit të Shqipërisë Kryetarin e Partisë Alternativa në Maqedoninë e Veriut, Afrim Gashin, të cilin e urova për vendimin për të qenë pjesë koalicionit të ri qeverisës. Asnjëherë më parë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk kanë pasur një përfaqësim të barabartë në përbërjen e Qeverisë si sot. Kjo duhet të shërbejë si një mundësi për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane”, nënvizoi Balla.
Gjatë takimit Balla dhe Gashi biseduan për procesin e integrimit evropian të dy vendeve dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet parlamenteve tona.