Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca tha se ndihej i lumtur në çeljen e thirrjes së katër të programit IPARD II me vlerë 4.1 milionë euro në mbështetje të zhvillimit të natyrës dhe turizmit rural, por edhe në pjesën e produkteve tradicionale.

I pranishëm në takimin që u zhvillua sot në Mullet, për lançimin e thirrjes së katër të programit IPARD II me fokus turizmin rural dhe industrinë e artizanatit e manifakturën, Soreca tha se, “pres që kjo thirrje, ti sjellë zonat rurale më pranë tregjeve urbane dhe të rrisë konkurrueshmërinë.

“Synimi është që të zhvillohet një sektor bujqësor i qëndrueshëm që të prodhojnë ushqime të një cilësie të lartë dhe të promovojë traditën shqiptare, duke pasur në thelb turizmit rural shqiptar”, u shpreh Soreca.

Ai solli në vëmendje takimin e parë, në lançimin e thirrjes së parë në tetor të vitit 2018, teksa vuri në dukje se ” ja ku jemi sot, në thirrjen e 4, çka tregon për një ecuri të mirë të këtij projekti dhe mbështetjen adresuar këtij sektori”.

Soreca tha se, “bujqësia përben 20% të PBB në Shqipëri dhe ka mbi 50% të të angazhuarve në punë dhe BE ka dhënë 100 milionë euro për të mbështetur bujqësinë në Shqipëri, përfshirë edhe 71 milionë euro përmes programit IPARD, duke e bërë BE-në, mbështetësin më të madh të bujqësisë në Shqipëri”.

Kjo mbështetje, vijoi ai, po jep ndikimin e saj të rëndësishëm.

Ambasadori theksoi se janë mbi 400 fermerë dhe subjekte rurale që po përfitojnë fondet e BE dhe IPARD dhe ky sukses nuk do të kish qenë i mundur pa angazhimin e AZHBR-së.

Soreca inkurajoi të gjithë bizneset rurale të aplikojnë për fondet e IPARD II në këtë thirrje.

“Gjatë 2 viteve të fundit janë nxitur shumë projekte të mbështetura nga IPARD, unë jam i qartë që integrimi evropian nuk duhet të ndodhë vetëm në zonat urbane por edhe zonat rurale, pasi Evropa është këtu në Shqipëri”, tha Soreca.