Vendi është ‘pushtuar’ nga një valë ekstreme e të ftohtit që pritet të na shoqërojë edhe për gjatë ditëve në vijim. Sipas MeteoAlb, ditën e sotme do të mbeten prezente vranësirat e dendura në zonat jugor-Juglindore dhe verilindore duke gjeneruar reshje dëbore. Vetëm orët e vona të pasdites do të sjellin përmirësim të kushteve atmosferike dhe intervale me kthjellime në vend, por ngricat dhe temperaturat e ulëta do vijojnë të jenë problematike.

Temperaturat minimale pritet të shkojnë deri -10 gradë, ndërsa ato maksimale nuk do t’i kalojnë 9 gradë. Veç temperaturave shumë të ulëta, pritet të fryjë edhe erë deri me shpejtësi 60 km/h nga drejtimi verior-verilindor.

Ndërkohë, në një reagim për situatën, Kryeministri Edi Rama thotë se po punohet me të gjitha kapacitetet për pastrimin e rrugëve nga dëbora e ngrica.

Ditën e djeshme, Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku paralajmëroi qytetarët që të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin turizmin dimëror në 5 ditët e ardhshme. Po ashtu ajo i kërkoi qytetarëve që të përdornin me kujdes energjinë elektrike, pasi prej temperaturave të ulëta është rritur kërkesa për konsum.

Ndërkohë meteorologët kanë paralajmëruar se dita e martë e javës që vjen do të jetë dita më e ftohtë, ku temperaturat pritet të shkojnë deri në -17 gradë në zonat e thella.