Një studim i publikuar nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve tregoi se vaksinimi kundër Covid-19 në shtatzëni nuk ndikon tek foshnja, lindja e parakohshme apo pesha e fëmijës. Rezultatet e këtij studimi konfirmojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore për sigurinë e vaksinave në luf tën kundër Covid-19 përgjatë shtatzënisë.

Në studim theksohet gjithashtu se gratë shtatzëna të cilat infektohen dhe nuk kanë marrë dozat e vaksinës kanë një rrezik të shtuar për të përfunduar në njësitë e kujdesit intensiv dhe mund të kenë nevojë për oksigjen shtesë. Të gjitha gratë të cilat u bënë pjesë e studimit e kishin marrë vaksinën në 3-mujorin e dytë ose të tretë të shtatzënisë. Rreth 96% e tyre ishin të vaksinuara me Pfizer ose Moderna dhe pjesa tjetër me Johnson and Johnson.

Rezultatet treguan se pavarësisht kohës së marrjes së dozave apo llojit të vaksinës nuk kishte asnjë provë që tregonte se vaksina ndikon negativisht në pjellori apo jep komplikacione gjatë lindjes. Përfitimet pozitive të vaksinimit kundër Covid-19 gjatë shtatzënisë përfshijnë gjithashtu antitrupat e shtuar në gjakun e kordonit.