“Unë besoj se ne shqiptarët kemi mundësinë të shkojmë shumë më shpejt përpara, duke e dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke menduar për njëri-tjetrin”.
Me këto fjalë, Kryeministri Rama nis video mesazhin e tij drejtuar shqiptarëve, teksa prezanton nismën e fundit të Qeverisë, Këshillimin Kombëtar mbi çështje me rëndësi strategjike për të ardhmen e vendit.
Rama thekson se përmes një pyetësori që po mbërrin nëpër shtëpitë e shqiptarëve, qeveria kërkon t’i japë jetë një kuvendimi popullor ku të merret mendimi i gjithsecilit mbi çështje me rëndësi për vendin, ekonominë, familjen, drejtësinë, bashkëjetesën tonë demokratike.
“Është koha të nxjerrim të gjithë mësimet tona nga këto tre dekada përpjekje demokratike dhe të mos lejojmë që llogoret partiake apo kacafytjet për interesa personale brenda tyre, të na marrin peng të ardhmen në emër të së shkuarës, të klisheve të vjetra “i djathtë” “i majtë”, të besnikërisë ndaj atij apo atij tjetrit… Është koha të flasim më shumë si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz, se sa si luftëtarë llogoresh, mllefesh, inatesh kundër njëri-tjetrit… Është koha të dëgjohemi për mendimet dhe idetë e secilit për shtëpinë tonë të përbashkët, Shqipërinë, e të këshillohemi së bashku për vendimet me rëndësi për familjen shqiptare”, thotë Rama.
Kryeministri njoftoi se çdo shtëpi shqiptare do të marrë një pyetësor të Këshillimit Kombëtar përmes postës, ndërsa më të moshuarit mund ta plotësojnë pyetësorin dhe ta ridërgojnë me postë pa asnjë shpenzim. Të tjerët mund ta japin opinionin e tyre përmes faqes së Këshillimit Kombëtar online në platformën tonë të bashkëqeverisjes. Të gjithë do të mund të përdorin edhe pikat e Këshillimit Kombëtar që do të hapen në çdo bashki.
“Le të dëgjojmë njëri-tjetrin, me kurriz nga llogoret partiake dhe sytë e imagjinatës nga e ardhmja e ndritur e Shqipërisë”, përmbyll Rama videomesazhin e tij.