Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një lidhje për Report Tv, bëri me dije se pavarësisht temperaturave shumë të ulëta, nuk ka problematika me qarkullimin në akset rrugore. Ai bëri me dije se rrugët janë të gjitha të hapura dhe se situata është nën kontroll. Një paralajmërim Çako e pat për qytetarët në Korçë, Dibër e Lezhë, ku tha se do të jenë zonat ku do të ketë më shumë reshje dëbore, duke i kërkuar atyre të tregohen të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjen natën.
“Të gjitha akset janë të kalueshme, Emergjencat Civile janë në krye të detyrës. Nuk kemi problematika as me furnizimin me energji elektrike. Për shkak të temperaturave të ulëta, do të ketë prani të ngricave në rrugë ndaj qytetarët duhet ët bëjnë kujdes gjatë lëvizjes për të shmangur aksidentet. Shoferët duhet të pajisen me zinxhirë në zonat rurale ku ka prezencë akulli apo dëbore. Janë marrë masat për të ndërhyrë në rast se do të ketë zona që mund të izolohen. Jemi në kontakt me shtabet në prefektura dhe bashki për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve për çdo nevojë që do të kenë. Nuk besoj të kemi problematika, pavarësisht kushteve të vështira të motit. Zonat veriore dhe ato verilindore, qarku Dibër, Korçë, Kukës dhe mbi-Shkodra janë të ekspozuara nga prezenca e shtuar e ngricave dhe dëborës dhe këshillojmë qytetarët që të kufizojnë lëvizjen. Lëvizja gjatë natës do të jetë shumë e vështirësuar dhe është mirë të eliminohen”, tha ai.