Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me ekspertët e saj, ka ndërmarrë një fushatë këshilluese fshat më fshat e fermë më fermë, për mbrojtjen e bimëve dhe blegtorisë, në kushtet e motit me temperatura të ulëta që kanë përfshirë vendin.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca bën të ditur se veterinerët zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, janë pranë blegtorëve në këto ditë të ftohta.
Nga Korça, Blinisht, Dajc, Kallmet, Fushë-Mamurras, Lezhë, u këshilluan dhe orientuan blegtorët mbi kujdesin për kafshët dhe ruajtjen e ambienteve të tyre në temperatura të ulëta.
Ndërkohë janë publikuar dhe afishuar në pikat e shërbimit rekomandimet e specialistëve për menaxhimin e ditëve të ftohta në fermë.