Tiranë, 25 Janar – Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka hapur thirrjen për aplikim për Auditues Klinikë. Sipas njoftimit të ministrisë çdo mjek, farmacist apo stomatolog ka të drejtën të aplikojë për Auditues Klinikë. Thirrja është e hapur edhe për auditues klinikë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe çdo auditues ndërkombëtar.
Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit sipas njoftimit është data 18 Mars 2022 në një zarf tek Zyra e Protokollit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Kriteret e nevojshme për njohjen si auditues klinik:

a) Të ketë profesionin mjek/farmacist/stomatolog;
b) Të ketë minimumi 15 vjet eksperiencë profesionale në sistemin shëndetësor, të vërtetuar nga
institucionet publike dhe jopublike të certifikuara dhe të akredituara sipas legjislacionit në fuqi;
c) Të ketë titullin profesor, profesor i asociuar;
ç) Të ketë njohuri për përdorimin e kodifikimit mjekësor (ICD);
d) Të ketë njohuri për auditin klinik dhe manualin e procedurave të auditit klinik;
dh) Të ketë njohuri mbi protokollet dhe udhërrëfyesit e praktikës mjekësore dhe
standardet e akreditimit për fushën përkatëse.

Dokumentacioni i nevojshëm për t’u dorëzuar:
1. Kërkesën për shprehjen e interesit
2. Licenca e ushtrimit të profesionit (mjek/farmacist/stomatolog);
3. Jetëshkrim lidhur me përvojë profesionale;
4. Vërtetime lidhur me eksperiencën profesionale;
5. Aktin e fitimit të titullit akademik;
6. Vetëdeklarimin se ka njohuri për përdorimin e kodifikimit mjekësor (ICD);
7. Vetëdeklarimin se ka njohuri për auditin klinik dhe manualin e procedurave të auditit klinik;
8. Vetëdeklarimin se ka njohuri mbi protokollet dhe udhërrëfyesit e praktikës mjekësore dhe standardet e akreditimit për fushën përkatëse;
9. Vetëdeklarimin e gjendjes gjyqësore.