Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, informoi sot lidhur me situatën në vend në kushtet e motit me temperatura të ulëta dhe reshje dëbore.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku bën të ditur se nuk ka pasur probleme me qarkullimin në akset rrugore të vendit.

Gjatë natës moti ka qenë i kthjellët me temperatura mesatare në zonën perëndimore deri në -5°C, në zonën jugore -3°C në zonën verilindore -7°C dhe në juglindje -12 gradë C.

Balluku informoi se, për sa i përket furnizimit me ujë, nuk ka pasur probleme në rrjetet e ujësjellësave dhe furnizimi me ujë ka qenë normalisht.

“Stacionet e pompimit punojnë në kushte optimale”, tha ministrja.

Balluku theksoi se, “prodhimi i energjisë elektrike në kaskada shënon 16.457 MWh/ditë, kërkesa sot për energji është 28.008 MWh/ditë dhe prodhimi i energjisë nga HEC-et e vogla shënon 4 319 MWh/ditë. 11 defekte kanë ndodhur gjatë natës nga konsumi i lartë, ndërsa janë zgjidhur 7 defekte në Tiranë, Korçë, Bulqizë, Vlorë. Të gjithë fiderat që furnizojnë me energji elektrike institucionet e rëndësisë së veçantë janë në funksion të plotë”.

Balluku tha se, nuk ka patur asnjë problem në portet dhe aeroportet e vendit.