Kryeministri Edi Rama ka folur para mediave pas mbledhjes së kryesisë së PS për Këshillimin Kombëtar dhe për zgjedhjet e 6 marsit. Rama tha se Këshillimi Kombëtar bëhet për t’i marrë një opinion qytetarëve, ndërsa për zgjedhjet u shpreh se do të marrin pjesë, do të respektojnë afatet.

I pyetur nëse do të ketë kryesisht gra, Rama me bindje u shpreh se vijon t’i mbetet qëndrimit se mes 10 burrave dhe një gruaje, zgjedh këtë të fundit.

Rama: Do të shkojnë në të gjitha familjet dhe nëpërmjet kanalit digjital, do të mund të marrin pjesë në këtë Këshillim dhe i ftoj të gjithë ta bëjnë. Është diçka miqësore për këshillim për disa çështje që nuk është se na mungojnë kartonat, por na duhet të marrim një opinion qytetarësh përtej partive, llogoreve dhe të gjithë hapësirë së politikës.

Nuk është një nevojë taktike, por një nevojë reale për të pasur një ide të qartë se cfarë mendojnë njerëzit pavarësisht partive. Sa i përket vendimit për të bërë zgjedhjet në 6 bashki, kemi filluar organizimin, është një proces ku do të jemi pjesë, do respektojmë afatet, do paraqesim kandidatet.

Pyetje: Do të ketë kryesisht gra?

Rama: Nuk mendoj që do të kemi deputetë në këtë garë dhe ky është mendimi i kryesisë. Sa i përket grave, e dini që mes një gruaje dhe 10 burrave, unë zgjedh një grua.

Sa i përket shanseve të dyta, Rama tha se nuk i jep mundësi askujt që i ka vënë në pozitë të vështirë me qytetarët.

Rama: Shanset e dyta jepen në marrëdhënie individuale, mund ti japim njëri-tjetrit kur jemi miq dhe shanset e dyyta i jep pastaj zoti, ndërsa PS nuk i jep shanse të dyta askujt që e ka vënë në pozitë të vështirë duke gënjyer. Nuk ka shanse të dyta për askënd për të gjithë ata që kanë probleme me ligjin e pastërtisë.