Shpella e Rusit në Çidhën dhe shpella ujore të Sopanikës në burimet e Setës së bashku me ujëvarën e saj përbëjnë një ansambël të bukurive natyrore në zonën e Dibrës, të cilat janë Monumente Natyre.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se speleologë bullgarë i kanë eksploruar këto shpella, megjithatë puna ende nuk ka përfunduar.
“Në shpellën e Rusit, përveç stalaktiteve, stalagmiteve speleologët kanë gjetur edhe xhevahire. Në ekspeditën e fundit, 2 vite më parë ata kanë arritur në 200 metra dhe përsëri fundin e shpellës nuk e panë”, thekson AKZM.
AKZM shprehet se në Sapanikë eksplorimi është dhe më i vështirë, pasi shpella ka shumë pjesë me ujë si pjesë e burimeve të Setës, ka disa “sifone” dhe kjo shpellë është gati e paeksploruar.
Zona e Dibrës është jashtëzakonisht e pasur me burime ujore si Seta, Sina apo Sopanika, të cilat burojnë nga malësia e Lurës. Paralelisht ka dhe plot shpella, ku në një prej tyre buron pikërisht Sopanika, e cila ka gjithashtu një ujëvarë fantastike.
Shtigjet për në këto vende natyrore janë relativisht të lehta, por kërkojnë veshje të përshtatshme për ecje dhe sidomos për aventurierët që kërkojnë të eksplorojnë shpellat, duhet pasur kujdes që një gjë e tillë të bëhet me pajimet e duhura, si kokore, drita dhe për më në thellësi edhe maska oksigjeni.
Këto vendndodhje gjenden rreth një orë larg me makinë nga qyteti i Peshkopisë, ndërsa më në perëndim, ndodhen edhe kanionet e Setës, të cilat ofrojnë një peizazh marramendës dhe mund të qasen lehtësisht me ecje në këmbë. Edhe këto kanione kanë disa ujëvara dhe shpella të cilat mund të eksplorohen.