Në një takim me anëtarët e degës 14 të Partisë Demokratike në kryeqytet, kryedemokrati Lulzim Basha foli për koalicionin mes Komisionit të Rithemelimit të PD dhe LSI-së për zgjedhjet e pjesshme vendore, të cilën e konsideron si “politika e vjetër”.
Basha u shpreh se përçarja mes demokratëve është bërë për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës.
Kryedemokrati hodhi akuza gjithashtu se protesta në selinë e PD u bë për të dorëzuar “shtëpinë e lirisë” tek Meta.
‘Këto ditë, e sotmja, e gjithë beteja, edhe sulmi, denigrimi që u është bërë demokratëve të ndershëm, si shumë prej jush në këtë sallë, drejtuesve, të gjithëve. S’po flas ndaj meje si kryetar i partisë, se vetë zgjodha t’i vija gjoksin kësaj, pikërisht që mos të futej përçarja përmes demokratëve apo deputetëve, zonjave, anëtarëve të kryesisë.
E gjitha kjo për çfarë paska qenë? Për t’i dorëzuar PD-në LSI-së dhe Ilir Metës?! Gjithë ajo skenë barbare atje e sulmit kundër shtëpisë së demokratëve, për çfarë paska qenë? Që “shtëpia e lirisë” të kthehet në shtëpinë e Ilirit”, tha ndër të tjera kryetari i PD Lulzim Basha.