Presidenti i SHBA, Joe Biden ka thënë se është i bindur se presidenti rus, Vladimir Putin, ka vendosur të nisë një pushtim të Ukrainës dhe se një sulm mund të ndodhë në “javën e ardhshme” ose edhe më shpejt.
Biden tha se vlerësimi bazohej në inteligjencën amerikane, e cila sugjeroi se kryeqyteti, Kiev, do të ishte në shënjestër. Rusia mohon se po planifikon të pushtojë.
Vendet perëndimore akuzojnë Rusinë se po përpiqet të organizojë një krizë të rreme në rajonet separatiste lindore të Ukrainës për t’i dhënë asaj një arsye për të nisur një ofensivë.
SHBA vlerëson se ka 169,000-190,000 trupa rus të grumbulluar afër Ukrainës, një shifër që përfshin luftëtarët e mbështetur nga Rusia në republikat e vetëshpallura të Donetsk dhe Luhansk në Ukrainën lindore.
Në një fjalim televiziv nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se SHBA kishte “arsye për të besuar” se forcat ruse “po planifikonin dhe synonin të sulmonin Ukrainën në javën e ardhshme, në ditët në vijim”.
“Në këtë moment jam i bindur se ai ka marrë vendimin”, shtoi ai, duke iu referuar presidentit Putin, por shtoi se Rusia “mund të zgjedhë ende diplomacinë” dhe se “nuk ishte tepër vonë për të de-përshkallëzuar dhe për t’u kthyer në tryezën e bisedimeve”.
Më herët të premten, në një tjetër shenjë të rritjes së tensioneve, udhëheqësit e dy zonave separatiste njoftuan një evakuim të banorëve, duke thënë se Ukraina po planifikonte një sulm.
Ukraina ka thënë vazhdimisht se nuk po planifikon ndonjë sulm dhe ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba hodhi poshtë atë që ai i quajti “raportet e dezinformimit rus”.
Denis Pushilin, kreu i Republikës Popullore të Donetskut (DNR), njoftoi evakuimin në një video që supozohet se është filmuar të premten. Kremlini tha se presidenti Putin kishte urdhëruar që kampe refugjatësh të ngriheshin pranë kufirit dhe të paguheshin ndihma “emergjente” për njerëzit që vinin nga zonat separatiste. Media shtetërore ruse raportoi se disa autobusë që transportonin banorë vendas ishin nisur për në Rusi.
Departamenti Amerikan i Shtetit e quajti njoftimin e evakuimeve një lëvizje “cinike” të Moskës “për të shpërqendruar botën nga fakti se Rusia po ndërton forcat e saj në përgatitje për një sulm”.
Mbrëmjen e djeshme, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha se kishte marrë informacion se eksplozivë ishin vendosur në objektet e infrastrukturës në Donetsk në përgatitje për një të ashtuquajtur sulm të rremë, një operacion i kryer me qëllimin për të fajësuar Ukrainën për të.
Rusia ka mbështetur një rebelim të armatosur në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës që nga viti 2014. Rreth 14,000 njerëz, përfshirë shumë civilë, vdiqën në luftime.
Putin pritet të mbikëqyrë stërvitjet kryesore të forcave strategjike raketore bërthamore të Rusisë. Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të udhëtojë në Gjermani për të takuar liderët perëndimorë në një konferencë sigurie.