Çmimet e naftës po rriten përsëri, duke rritur inflacionin dhe duke gërryer besimin e konsumatorëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Kështu shkruan “New York Times”, teksa thekson që çmimet e naftës së papërpunuar u rritën me më shumë se 15 për qind vetëm në janar, me çmimin standard global që kaloi 90 dollarë për fuçi, për herë të parë në më shumë se shtatë vjet.Administrata Biden tha në nëntor se do të zhbllokojë 50 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike të vendit për të lehtësuar presionin mbi konsumatorët, por masa nuk ka bërë shumë ndryshim. Shumë analistë të energjisë parashikojnë se së shpejti nafta mund të arrijë 100 dollarë për fuçi.

Por pse çmimet e naftës janë papritur kaq të larta? Kompanitë perëndimore të naftës, pjesërisht nën presionin e investitorëve dhe aktivistëve mjedisorë, po shpojnë më pak puse sesa bënin para pandemisë për të frenuar rritjen e furnizimit. Drejtuesit e industrisë thonë se po përpiqen të mos bëjnë të njëjtin gabim që bënë në të kaluarën, kur pomponin shumë naftë kur çmimet ishin të larta, duke çuar në një kolaps të çmimeve.Diku tjetër, në vende si Ekuador, Kazakistan dhe Libi, fatkeqësitë natyrore dhe turbulencat politike kanë frenuar prodhimin në muajt e fundit.

Por faktori më imediat dhe më kritik është gjeopolitik. Një pushtim i mundshëm rus i Ukrainës e ka tronditur tregun e naftës, tha Ben Cahill, një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington. “Në një treg të ngushtë, çdo ndërprerje e furnizimit mund të çojë çmimet mbi 100 dollarë për fuçi,” shkroi zoti Cahill në një raport këtë javë.Rusia prodhon 10 milionë fuçi naftë në ditë, ose afërsisht një nga çdo 10 fuçi të përdorura në mbarë botën në çdo ditë të caktuar.