Portugalia ka vendosur të lehtësojë më tej masat kufizuese kundër koronavirusit pasi rastet me Covid-19 kanë vazhduar të bien.

Pas një takimi të kabinetit të enjten, qeveria njoftoi se do të heqë kufizimet, duke përfshirë ato që kërkojnë dëshmi të vaksinimit, shërimit nga Covid-19 ose një test negativ për të hyrë në hotele, restorante dhe institucione të tjera.

Kufijtë e kapacitetit gjithashtu do të hiqen, së bashku me testimin e detyrueshëm për të lejuar hyrjen në ngjarje sportive, klube dhe bare.

“Ky është një hap i mëtejshëm drejt jetës normale që na u rrëmbye gati dy vjet më parë”, tha ministrja e Shtetit, Mariana Vieira da Silva.

Disa kufizime do të qëndrojnë në fuqi për momentin.

Rregullat për vendosjen e maskave do të vazhdojnë të zbatohen në ambientet e mbyllura publike.

Personat e pavaksinuar dhe ata që nuk kanë bërë ende vaksinën përforcuese duhet të paraqesin një test negativ për të vizituar spitalet dhe shtëpitë e kujdesit.

Të ardhurit nga jashtë duhet të paraqesin një certifikatë vaksinimi digjitale. Gjendja e jashtëzakonshme e koronavirusit në vend do të mbetet në fuqi në një formë të dobësuar deri më 7 mars.

Numri i infeksioneve të reja ditore ka shënuar një rënie në Portugali kohët e fundit në rreth 16 000 pas një rekordi prej mbi 65 000 raste në fund të janarit.

Incidenca shtatëditore e rasteve për 100 000 banorë ka shënuar një rënie nga mbi 2 500 në vetëm 1 230 në 10 ditët e fundit.

Për shkak të nivelit të lartë të vaksinimit në vend, situata në spitale mbetet relativisht e menaxhueshme.