Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në takimin e posaçëm në nivel ministror të Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, që u mbajt në Vjenë.
Ministrja Xhaçka theksoi se sulmi kundër Ukrainës është një krim dhe se Rusia do të mbajë përgjegjësinë e plotë për pasojat e tmerrshme të këtyre sulmeve.
“Dënojmë agresionin e Rusisë, Evropa është e bashkuar për Ukrainën. Nuk është sulm vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj arkitekturës së sigurisë së Evropës. E gjithë bota e bashkuar kundër këtij akti të paligjshëm agresioni. Sulmi kundër Ukrainës është krim, përgjegjësia bie mbi udhëheqjen ruse. Përpjekjet tona kryesore tani duhet të jenë mbrojtja e jetëve njerëzore”, deklaroi ministrja Xhaçka.
Sipas saj, përgjigja e shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe e komunitetit ndërkombëtar në tërësi, duhet të jetë e prerë, e koordinuar dhe me pasoja të menjëhershme.
“Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, duke përfshirë Krimenë dhe ujërat e saj territoriale. Në këtë moment kritik, në koordinim të ngushtë me partnerët tanë, ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën, popullin dhe qeverinë e saj”, tha ajo.
Këshilli i Përhershëm është organi kryesor vendimmarrës për konsultime të rregullta politike dhe për qeverisjen e punës së përditshme operative të OSBE-së nëpërmjet mbledhjeve të Këshillit Ministror.