Deputeti i Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit, Bujar Çela ka komentuar aktualitetin politik dhe jo vetëm. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, deputeti Çela akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe presidentin Ilir Meta se janë koka të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Sipas tij, ka ardhur koha që SPAK të ndëshkojë dyshen Meta-Berisha. Sa i takon zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit, ligjvënësi socialist shprehu bindjen se ato do t’i fitojë PS. Duke komentuar konfliktin Rusi-Ukrainë, zoti Çela ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës. Ai tha se Shqipëria i bashkohet thirrjeve të SHBA-së dhe BE-së që Rusia të tërheqë trupat nga Ukraina, duke theksuar se po krijohet një rrezik i paprecedentë për Europën dhe më gjerë.
-Zoti Çela, situata politike duket sikur është nxehur, ku në skenë ka dalë edhe presidenti Ilir Meta, i cili ka premtuar se do të zbresë në sheshin e politikës. Sipas jush kush janë arsyet që Meta po i rikthehet politikës?
Nuk ka asnjë arsye, pasi ai nuk ka ikur asnjëherë nga politika. Ai ka qenë gjithmonë një president politik dhe zëri i fuqishëm i opozitës. Nga kjo pikëpamje dua të theksoj se Ilir Meta ka qenë pjesë e politikës dhe zbritja e tij në shesh as nuk na tremb fare, pasi ai gjithmonë ka qenë në politikë. Por mua më vjen keq dhe ndihem i keqardhur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e Kuvendit të Shqipërisë, duke e lënë në detyrë zotin Ilir. Meta ka shkelur Kushtetutën dhe ai nuk është president i imi. Megjithatë, unë respektoj vendimin e Kushtetueses, të cilin preferoj të mos e komentoj.
-Rikthimin e presidentit Ilir Meta në politikë dhe madje në krye të LSI, e paralajmëroi edhe bashkëshortja e tij njëherësh, “Zonja e Parë”, Monika Kryemadhi. Kështu që më lejoni t’iu pyes se gjatë kësaj kohe që Meta ka qenë në Presidencë a ka pasur ai ndikim në LSI?
Siç e thashë më sipër, Ilir Meta po bën lëvizjen e radhës as më pak e as më shumë, sipas thënies se popullit: “Për t’u fshehur pas gaxhit, kërcen prifti nga belaja (halli)”, për t’i shpëtuar me dredhi si gjithmonë gjykimit që e pret pasi të zhvishet nga kostumi i kreut të shtetit”. Ajo nuk ka qenë asnjëherë zonja e parë se nuk është Meta, por Kryemadhi me kokë shumë të vogël dhe boshe fare. Zonjë të parë ka patur vajzën. Meta ka qenë themeluesi me motivin: “Për inat të sime vjehrre dhe ka djegur dhe përdorur në interes të tij këdo që e ka besuar dhe shoqëruar – vetëm në interes të tij”! Këtë e vërteton më së miri dhe lenia në krye të partisë kryetaren kukull, nënën e fëmijëve, zonjën e përdorur Kryemadhi! Ka qenë dhe duke qenë president dhe ‘de facto’ kryetari i LSI-së.
-Ka zëra se Ilir Meta pas shkarkimit do të shpallet person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ju i besoni këto?
Patjetër që i besoj.
-Dakord, por javën që shkoi teksa ishte i ftuar në një studio televizive, presidenti Ilir Meta i sfidoi hapur amerikanët, ndërsa u shpreh se nuk ka frikë dhe së është i pastër. Ju besoni se SHBA ka prova kundër Metës? Nëse po, kush janë ato…
Ka shumë, nga vjedhja e floririt të Krrabës, tek vrasjet e 21 janarit të vitit 2011, deri tek korrupsioni me bllok në dorë. Kështu që provat e Departamentit Amerikan janë pafund, por amerikanët ecin dalëngadalë me hapa shumë të sigurt deri në ditën e duhur. Jo për të ruajtur Metën, por mendojnë se si të ruajnë dhe forcojnë demokracinë e brishtë në Shqipëri!
-Presidenti Ilir Meta ndërkohë ka dekretuar datën 6 mars, ditë kur duhet të mbahen zgjedhjet e pjesshme lokale për 6 bashki. A është PS gati për zgjedhje?
Këto zgjedhje jane shumë të vonuara aq sa sot tingëllojnë si lajthitja e radhës e presidentit! 45 ditë lejohen me kushtetutë në pushtetin vendor. Por pseudopresidenti ynë, Kushtetutën e përdor si letër higjienike sipas dëshirave të tij të çmendura! Partia Socialiste duke zgjedhur që në 2017 aleatë qytetarët, zgjedhjet i shesh si fushate korrje shirje për atë punë që ka bërë mënyrë të përditshme. Fitorja do të jetë qytetarëve dhe padyshim që edhe e PS-së në të 6 bashkitë, ku do të mbahen zgjedhjet.
-Së fundmi kryeministri Edi Rama ka prezantuar një pyetësor, ku kërkon mendimin e qytetarëve për shumë çështje. Si ju duket kjo iniciativë?
Kryeministri Edi Rama komunikimin me qytetareve e ka pasur dhe vazhdon ta ketë në vazhdimësi si asnjë tjetër. Rama është kryeministër i veçantë dhe i pa konkurueshëm në mënyrë ritmike dhe të pandërprerë! Rama komunikon në mënyrë të veçantë dhe me shumë sukses! Komunikimi i shkëlqyer dhe me shumë vlerë, vetëm një si Rama e bën të mundur!
-Le të dalim pak nga politika. Pak javë më parë u shënuan plot 11 vite nga vrasjet e “21 Janarit”. Si e kujtoni ju atë ditë?
21 janari i vitit 2011 është ngjarja më e rëndë dhe një nga ngjarjet më të zeza të demokracisë që ka përjetuar Shqipëria, pasi shteti vrau në mes të Bulevardit 4 qytetarë të pafajshëm.
-Ndërkohë edhe Lulzim Basha e ka cekur disa herë në diskursin e tij politik çështjen e “21 Janarit”. A di Basha më shumë detaje se sa i takon “21 Janarit” dhe rolit të Sali Berishës?
Patjetër që di Lulzim Basha shumë detaje. Ai dhe Sali Berisha janë përgjegjës kryesor për vrasjet e “21 Janarit”. “21 Janari” është ngjarje e shekullit që ka tre autore Berisha- Basha dhe atë që i quajti protestuesit për votën e lirë “Kokë palarë”. S’ka zbardhje dhe qetësi për jetën e 4 të vrarëve dhe familjarëve të tyre dhe të mijëra protestuesve së bashku me mua, pa u ndëshkuar këta tre kriminelë në bashkëpunim! S’ka nevojë të kërkoj të dyshuar SPAK-u. Këta të tre janë autorët e vërtetë për të katër viktimat duke përfshirë dhe Aleks Nikën, i cili dha jetën pas kurrizit tim dhe kam qenë i pari që kam tentuar ta ngre atë djalë që u këput që në këmbë si nëpër filma! Të gjithë ata që shkrepën armët, u strehuan aty nga u erdhi urdhri për të shkrepur armët në drejtim të turmës me duar në xhepa! Shkeljet janë haptazi dhe kriminale, njësoj ashtu siç u vodhën votat dhe nuk u pranua hapja e kutive të votimit.
-Së fundmi le të përqendrohemi pak tek politika e jashtme, ku gjithë vëmendja e botës është përqendruar tek konflikti Rusi-Ukrainë. Keni një koment?
Rusia po krijon rrezik të paprecedentë për Europën dhe më gjerë. Në kundërshtim me të gjithë historinë pas Luftës së Dytë Botërore, sulmi për pushtimin e Ukrainës kërkon t’i imponojë botës parimin “i forti ka të drejtë”, kjo është e papranueshme. Shqipëria dënon në termat më të ashpër sulmin e Rusisë dhe qeverinë e Bjellorusisë për mundësimin e këtij sulmi. Shqipëria mbështet fuqimisht sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bashkë me aleatët tanë ne qëndrojmë në krah të Ukrainës dhe presidentit të saj legjitim. Mendimet tona janë dhe shkojnë te familjet e viktimave dhe të të plagosurve. Ne i bashkohemi deklaratave të NATO-s që i bën thirrje Rusisë të ndërpresë sulmet ushtarake dhe të tërheqë forcat e saj, të respektojë ligjet ndërkombëtare. Krah aleatëve tanë ne dënojmë vendimin e Rusisë për të zgjeruar njohjen e rajoneve separatiste dhe i bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga rruga e agresionit. Udhëheqësit e Rusisë duhet të mbajnë përgjegjësi. Shqipëria dhe SHBA janë bashkëpenmbajtëse në Këshillin e Sigurimit në OKB, një garanci e jona për një angazhim të vazhdueshëm me nisma konkrete. Shqipëria nuk është mjaftuar vetëm me fjalë, i jemi bashkuar sanksioneve që SHBA dhe BE kanë vendosur ndaj Rusisë duke marrë edhe peshën e sanksioneve që Rusia ka vendosur si reagim. Qëndrimet tona kanë qenë publike. Theksoj dhe siguroj për angazhimin e plotë të vendeve anëtare të Asamblesë së NATO-s dhe parlamenteve të vendeve anëtare në mbështetje të të gjitha vendimeve të aleancës, qofshin ato ushtarake apo politike, në përputhje me nenin 4 dhe 5 të traktatit të Uashingtonit.