Shpërthime masive ndriçuan qiellin në kryeqytetin ukrainas Kiev gjatë natës, ndërsa forcat ukrainase vazhdojnë të zmbrapsin përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e qytetit historik.
Sipas zyrtarëve të lartë amerikanë, Rusia po përballet me rezistencë “më të ashpër se sa pritej” nga ushtria ukrainase, si dhe vështirësi të papritura në furnizimin e forcave të saj.
Ndërkohë bombardime ka patur edhe në disa qytetet të tjera, teksa raketat ruse goditën edhe një depo nafte në Vasylkiv, tha kryebashkiaku i saj, duke shkaktuar frikë nga tymi toksik.
Sipas autoriteteve të Ukrainës, qyteti jugor i Nova Kakhovka është pushtuar nga trupat ruse, ndërkohë, automjetet ruse kanë hyrë në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv.
Zonat e banuara në Kharkiv u sulmuan gjithashtu. Një grua thuhet se u vra dhe dhjetëra u evakuuan nga një ndërtesë nëntëkatëshe. Të paktën gjashtë civilë të vdekur u raportuan gjithashtu në qytetin Okhtyrka, në veri-lindje të Ukrainës.
Për të ndëshkuar Rusinë, BE, SHBA dhe aleatët e tyre do të ndërpresin një numër bankash ruse nga sistemi kryesor ndërkombëtar i pagesave, Swift. Ata gjithashtu do të ngrijnë asetet e bankës qendrore të Rusisë.
Australia u bë vendi i fundit që njoftoi se do të financojë furnizimin me armë vdekjeprurëse për Ukrainën për ta ndihmuar atë të luftojë Rusinë. Masa vjen pasi Gjermania vendosi të shtunën të furnizojë Ukrainën me armë.
Agjencia e OKB-së raporton 240 viktima civile nga luftimet në Ukrainë që shpërthyen që nga pushtimi i Rusisë. Më shumë se 150,000 njerëz janë larguar nga Ukraina që nga fillimi i sulmit të Rusisë të enjten, teksa 3 milionë banorëve të kryeqytetit të Ukrainës u tha të strehoheshin në bunkerë.