Numri dy i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku përfundon në prokurori për shpërdorim detyre. Dritan Shakohoxha, në cilësinë e kandidatit për President ka kallëzuar penalisht Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF për ndërhyrje në zgjedhjet për kreun e këtij institucioni me qëllim favorizimin e Armand Dukës.

“Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, vijon procedurat për zhvillimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit, në shkelje flagrante me vendimin Nr. 274 Rregj. Themeltar, datë 17.02.2022, të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku është vendosur pezullimi i plotë i procesit zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të FSHF-së, deri në marrjen e vendimit gjyqësor të formës së prerë që lidhet më paditë gjyqësore të depozituara në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Pasi janë konstatuar një sërë shkeljesh ligjore nga strukturat pranë FSHF-së, si dhe janë konstatuar shkelje në mbledhjet e zhvilluara nga Shoqatat Rajonale të Futbollit, në lidhje me përzgjedhjen e delegatëve pjesëmarrës në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së”, thuhet në kallëzim.
Ndodhur para këtij fakti, Shakohoxha kërkon prej organit të akuzës marrjen e masave të menjëhershme dhe ndjekjen penale të shtetasit Ilir Shulku me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare te Futbollit, i cili vijon të ndërmarrë veprime të kundraligjshme në shkelje të urdhërimeve të vendimit Nr. 274 Rregj. Themeltar, datë 17.02.2022, të dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe duke ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta me qëllim pengimin e ekzekutimin e vendimit gjyqësor përkatës, ku është vendosur pezullimi i plotë i procesit zgjedhor për zgjedhjen e Presidentit të FSHF-së, deri në zgjidhjen e çështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Shakohoxha që garon përballë Armand Dukës, thekson se shkeljet e realizuara nga shtetasi Ilir Shulku janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, duke favorizuar drejtuesin aktual të FSHF-së.
“Për sa parashtruam si më sipër, vërtetohet qartësisht se me veprimet e ndërmarra nga shtetasi Ilir Shulku me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare te Futbollit, janë konsumuar elementët e figurave të veprave penale të sipërcituara dhe ky shtetas duhet të ngarkohet me përgjegjësi penale. Këtij kallëzimi do i bashkëngjisim edhe provat mbështetëse te cilat do te vërtetojnë pretendimet e bazuara, ne cilësinë e palës kallëzuese. për sa me sipër, i kërkoi Prokurorisë pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Tiranë, regjistrimin e procedimit penal për veprat penale “Pengime per ekzekutimin e vendimit të 2kkatës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Shpërdorim detyre”, “parashikuar nga neni 320, 321 dhe 248 i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit Ilir Shulku me detyrë Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare te Futbollit”, thuhet në kërkesë padi.