Nga Mero Baze
Sali Berisha kishte plot mënyra të merrte drejtimin e Partisë Demokratike pas 9 shtatorit dhe përballjen me Lulzim Bashën. Mund ta merrte me Kuvend të ligjshëm, siç dhe i dha shansin Lulzim Basha. Nuk e bëri, por zgjodhi një rrugë që të dukej viktimë dhe i përjashtuar.
Sali Berisha kishte plot mënyra të merrte pjesë ndërkohë në zgjedhjet e 6 marsit. Mund të kishte krijuar ndërkohë partinë e re të “Foltores”, ose më e lehta të paraqiste listën e “Foltores” me 6 kandidatë të pavarur.
Nuk e bëri, pasi nuk do të ketë një bilanc të lexueshëm për shqiptarët, se sa vota ka.
Sot ai është strehuar në shtëpinë e Ilir Metës, i cili ka ndarë qiranë me Nard Ndokën për të pritur gjashtë myshterinjtë e Sali Berishës.
KQZ ende nuk ka marrë vendim përfundimtar, por ngjarje e sigurtë është se ai nuk mund ta rregjistrojë koalicion LSI- PD-Komisioni i Rithemelimit) pasi togëfjalëshi PD-Komisioni i Rithemelimit, është thjeshtë një deklaratë shtypi. Nuk është as subjekt elektoral, as ndonjë formacion politik.
KQZ nuk rregjistron dëshira për zgjedhje, por subjekte. Ky togfjalësh përfaqëson dëshirën e Berishës për të bërë një parti të re, por që dhe atë nuk ka guxim ta bëjë.
Kësisoj ai është i dënuar të përjashtohet nga fleta e votimit dhe konkretisht nga zgjedhjet.
Nuk di se ç’mund të bëjë më pas, nëse do t’i mbajë këta kandidatët e përbashkët me Metën dhe Ndokën, por e sigurtë është se Berisha nuk do të marrë pjesë në zgjedhje. Ai mund të marrë pjesë në fushatë, mund të thotë votoni LSI, por nuk do të jetë askund në zgjedhje.
Dhe për këtë është edhe vetë i qartë. Ai nuk do një bilanc votash më 6 mars në mbrëmje. Nuk do të ndjehet i mundur, edhe pse është bashkë me LSI-në e Ndokën. Nuk do të jetë i krahasueshëm apo i sulmueshëm nga kundërshtarët.
Kur LSI të dalë e humbur, të ketë mundësi të thotë se humbi LSI dhe jo ai. Ai do vetëm të vazhdojë të perceptohet si viktimë që nuk e lënë të rrijë në politikë, që nuk e lënë të garojë, që nuk e lënë të marrë PD etj.
Dhe për këtë ka zgjedhur opsionin më të vështirë për 6 marsin, opsionin që të paraqitet para KQZ si para dyerve të PD më 8 janar, me qysqi dhe vare në duar e t’u thotë: “Po ua mbajti mos më rregjistroni”.
Natyrisht që nuk do ta rregjistrojnë dikë që nuk është i rregjistruar dhe nuk do të marrë pjesë në mbledhje. Ai është i lirë vetëm të jetë shërbëtor i Ilir Metës në këto zgjedhje. Bashkë kanë halle të ngjashme dhe rrugë të përbashkët. Por vështirë se Partia Demokratike mund të vazhdojë të shkojë për hallin e tij, pas Ilir Metës.
Për hallin e Ilir Metës ka plot njerëz që në vite kanë ikur nga Berisha, por nuk njoh askënd tjetër që për hallin e Berishës të shkojë pas Ilir Metës. Përveç Sali Berishës, i cili është në hall.