Ekspertët japonezë kanë ndjekur nga afër folezimin e pelikanit kaçurrel në Parkun Kombëtar, Divjakë-Karavasta.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka publikuar një fotogaleri nga folezimi i kolonisë së pelikanëve në këtë Park.
“Disa foto nga monitorimi i radhës në koloninë e pelikanëve, që ka filluar folezimin. Gjatë këtij monitorimi, ku u shoqëruam nga ekspertët japonezë për Ekoturizmin, zëvendësuam edhe disa bova të dëmtuara”, thuhet në njoftimin e AKZM-së.
Nga specialistët e mjedisit në këtë zonë janë vërejtur mjaft specie të rikthyera duke e populluar atë. Një ndër të rrallët është edhe Pelikani Kaçurrel, një nga speciet e pakta në Evropë që deri tani ka shfrytëzuar si strehën e tij të fundit lagunën Divjakë-Karavasta.
Pelikani Kaçurrel (Pelecanus crispus) është shpend fluturues, folebërës nga familja e pelikanëve. Popullata më e madhe e këtij lloji të pelikanëve gjendet në lagunën Karavastasë në Shqipëri.
Në Maqedoni gjendet në Liqenin e Prespës. Takohet edhe në liqenin e Shkodrës dhe në rezervatin Srebrna në Bullgari.
Pelikani kaçurrel në pjesën e pasme ka pendë kaçurrele (të përkulura), qesja e fytit është me ngjyrë portokalli, këmbët gri e errët, ndërsa gjoksi është si i bardhë. Në majat e krahëve ka pak pendë të zeza.
Gjatësia e trupit është rreth 180 cm, ndërsa hapja e krahëve rreth 3 m. Pesha mesatare është prej 11,5 kilogramë dhe e bën shpendin më të rëndë në botë të gjinisë së vet. (ATSH)