Nga Emili Bibolli
Arrestimi i Saimir Tahirit të premten e kaluar shkaktoi një lumë reagimesh. Disa e përgëzuan këtë vendim, disa nuk e prisnin dënimin e tij, për disa 3.4 vjet nuk ishin të mjaftueshme, për disa arsyeja e dënimit nuk ishte e duhura dhe mjaft ish-kolegë të tij të majtë e të djathtë ndjenë për herë të parë ethet e së premtes mbrëma.
Katarsisi i iniciuar nga qeveria Rama 1 në Policinë e Shtetit mandatin e saj të parë, tentoi ta shkundë nga themelet këtë të fundit. Imazhi i policisë u përmirësua ndjeshëm por jo sa duhej. Ky katarsis largoi shumë individë abuzues në radhët e uniformave blu dhe solli një frymë më konstruktive, por nuk e pastroi edhe nga modelet e kalbura të funksionimit të saj ndër vite.
Saimiri spikati menjëherë në politikë. Energjia dhe vullneti i tij për ti dhënë një fytyrë të re Policisë së Shtetit dalloheshin qartazi. Në fillimet e tij ai gjeti një polici të rrënuar nga qeverisja e z.Berisha, me mercenarë të ish-kryeministrit, të cilët përfaqësonin gjithçka përveç se uniformat blu. Gjatë detyrës, ai ishte një nga ministrat e brendshëm më të diskutuar, pozitivisht por edhe negativisht. Komentet pozitive për të filluan pak kohë pasi kishte filluar përpjekjet për ti dhënë Policisë së Shtetit fytyrën e re, e kulmuan pas operacionit të Lazaratit në 2014, ku ra dhe kështjella kryesore e drogës në Shqipëri. Komentet negative kryesisht nga opozita, e akuzonin si ministrin që kanabizoi masivisht vendin dhe i faturonin çdo grimcë droge të kapur. Opozita theksonte se çdo sasi narkotikësh e kapur në territorin shqiptar hynte dhe dilte me urdhër të ish-ministrit, një akuzë kjo edhe sot e pafaktuar.
Ujërat për Saimir Tahirin filluan realisht të trazohen në tetor të vitit 2017, pasi Guardia di Finanza goditi një grup të strukturuar kriminal në trafikun e marijuanës, trafik që drejtohej nga vëllezërit Habilaj, të afërm të Tahirit. Saga e gjyqeve të tij vazhdoi deri të premten e kaluar kur GJKKO konkludoi se ish-ministri provohet tej çdo dyshimi të arsyeshëm se ka përfituar nga Moisi dhe Artan Habilaj shërbime dhe përfitime të padrejta, dhe se njëkohësisht shpërdorimi i detyrës ka dëmtuar interesat e ligjshëm të shtetit. Ndërkohë faktet se Saimiri ka shpërdoruar detyrën ende nuk janë bërë publike. Dimë vetëm se papërgjegjshmëria i kushtoi shtrenjtë atij.
Ndërkohë para tij ka patur dhe ka shumë të tjerë në rradhë për t’u gjykuar. Kjo sepse në Shqipëri ka një numër dosjesh dhe aferash që përfliten prej vitesh, por përgjegjësit janë ende të lirë, duke filluar nga vjedhja e thesarit të shtetit në tunelet e sigurisë së lartë në Krrabë në 1997, afera e ÇEZ-it, afera e Rrugës së Kombit, Bankers Petroleum e vazhdojnë me çështjen e Gerdecit, apo 21 Janarin. Aferat nuk mbijnë nga hiçi, palët krijuese dhe përfituese janë njerëz të veshur me pushtet. Ata jo vetëm që nuk janë dënuar, por dalin nëpër ekrane dhe në momente deliri bërtasin se do bëjnë revolucion apo se do ndërtojnë një të ardhme më të mirë për shqiptarët. Pa harruar dhe figura të tjera që deklarojnë se janë mbi palët dhe ndërkohë veprojnë njësoj, apo edhe më keq se palët.
Mosndërhyrja apo ndërhyrja e cunguar e drejtësisë tek aferat e mësipërme disavjeçare, të bëjnë të besosh se drejtësia në Shqipëri ka qënë dhe është thjesht një instrument që përdoret për të goditur apo mbrojtur individë të ndryshëm sipas tekave të të “plotfuqishmëve”. Të paktën deri tani.
Sot dënimi i Saimirit duartrokitet nga ai grup politikanësh që i kanë marrë gjithçka këtij vendi, dhe që e kanë përdhunuar Kushtetutën shqiptare në çdo nen të saj. Ata gëzohen për dënimin e tij, por harrojnë se një ditë (ndoshta jo të largët) do të kenë të njëjtin fat, ku i dihet mbase dhe më të keq.
fjala.al