Përmes një interviste në A2CNN, sipërmarrësja Mimoza Vojka-Emanuels tregoi se vitet e fundit, ka ardhur në rritje aktiviteti i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri nga markat e njohura ndërkombëtare.
Sipërmarrësja u shpreh se tashmë, “kompanitë shiptare kanë kaluar nga qepjet e thjeshta tek paketat e plota, pra në kompani të mirëfillta.”
Sipas saj, së fundmi janë shtuar ndjeshëm kërkesat e klientëve europianë për veshjet dhe këpucët që prodhohen nga industritë shqiptare.
“Ky është një lajm shumë i mirë për firmat e veshjeve në Shqipëri dhe normalisht për ekonominë e vendit, çka ka bërë që kompanitë shqiptare të rrisin ndjeshëm vlerën e punës”, tha ajo.
Qeveria shqiptare ka shprehur në programin qeverisës, ambicien e saj për transformimin e manifakturës shqiptare, e cila do të kalojë në nivelin tjetër: nga fason në prodhimin e markave shqiptare, me të cilat do të konkurrohet globalisht.
Për të realizuar këtë, qeveria do të vendosë në dispozicion një linjë garancie prej 50 milionë eurosh për prodhuesit, për përballimin e kostove të linjave të reja të prodhimit.