Imazhet satelitore të Maxar (një kompani e specializuar në vëzhgimin e Tokës, radarët dhe satelitët e shërbimit në orbitë, produktet satelitore dhe shërbimet e ngjashme), tregojnë një dislokim të madh të forcave tokësore ruse drejt kryeqytetit ukrainas, Kievit.
Ato përmbanin qindra automjete ushtarake, duke u drejtuar në verilindje të qytetit ukrainas të Ivankiv dhe duke lëvizur në drejtim të Kiev – afërsisht 40 milje larg.
Sipas Fox News, kolona shtrihej për më shumë se 3.25 milje dhe përmbante karburant, logjistikë dhe automjete të blinduara si tanke, automjete luftarake të këmbësorisë, artileri vetëlëvizëse.
Në anën tjetër, kryetari i bashkisë së Kyiv ka folur për Associated Press dhe ka thënë se qyteti tani është “i rrethuar” nga forcat ruse.
Vitali Klitschko u pyet nëse kishte plane për evakuimin e civilëve nëse trupat ruse kapnin kryeqytetin.
“Ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse të gjitha rrugët janë të bllokuara”, citohet të ketë thënë ai. “Për momentin ne jemi të rrethuar”.
Ndërkohë qyteti bregdetar jugor i Ukrainës, Berdyansk, është tani nën kontrollin rus. Lajmi konfirmohet nga kreybashkiaku i këtij qyteti i cili ka bërë të ditur se trupat ruse kanë hyrë në qytet rreth orës 15:50 me orën lokale të së dielës dhe u panë duke lëvizur në qendër pak më vonë.