Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri dhe ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi, bashkë me drejtuesin politik të Qarkut Durrës, Adrian Çela, zhvilluan pasditen sot një takim me banorët e qytetit të Durrësit, ku prezantuan kandidaten e PS-së për Kryetare të Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit. Duke marrë fjalën Gjiknuri tha se, “këto zgjedhje për Durrësin janë të veçanta, sepse Durrësi jeton në një moment të veçantë dhe ka shansin e artë për tu transformuar tërësisht falë disa ngjarjeve të mira politike që kanë ndodhur. Së pari Durrësi mori kryeministrin Edi Rama, deputet të saj dhe kjo është një mundësi e mirë”, teksa vuri në dukje se, “me këto projekte madhështore që do të zhvillohen në Durrës, ky qytet do të jetë porta hyrëse e turizmit dhe kulturës në Shqipërisë”. “Durrësi do të ketë portin më të madh në Mesdhe, me atë projekt madhështor që pritet të zbatohet në Durrës dhe kjo nuk ndodh rastësish pasi duhet sinergjia e qeverisë dhe bashkisë, prandaj bashkia Durrës është vendimtare për ecjen përpara të atij projekti bashkë me qeverinë e Edi Ramës”, tha Gjiknuri. “Kjo votë për Anën, është votë për zhvillimin e Durrësit, përmes projekteve të mëdha që do të zbatohen, ku veçanërisht projekti i ri i portit në Durrës do të çojë përpara zinxhirin e zhvillimit ekonomik të Durrësit”, u shpreh Gjiknuri.

Ai solli në vëmendje transformimin e Vlorës me mbështetjen e kryeministrit Rama, ku falë investimeve u rrit vlera e pronës, u shtuan bizneset dhe turizmi mori hop të madh dhe ky model progresi tha Gjiknuri “do të jetë akoma më i madh në Durrës që ka afër Tiranës dhe garanci për këtë është bashkia e drejtuar nga Ana dhe deputeti juaj Edi Rama”.

Gjiknuri tha se të gjithë e kanë ndjerë në këto dy vite, punën dhe përkushtimin e Anës, në kohën dhe situatën e vështirë që krijoi tërmeti i 26 nëntorit të 2019 në Durrësin. “Ju e patë sesi qeveria Rama iu përgjigj qytetarëve ashtu sikurse nuk e bën njeri, ndaj Ana dhe qeveria Rama janë një garanci që procesi i Rindërtimit të përfundojë plotësisht në Durrës. Nga ana tjetër fitorja e PS-së nuk kërcënohet nga kundërshtarët tanë. Ata do të riciklojnë të njëjtat akuza sepse nuk kanë asnjë ofertë reale. Ata konkurrojnë për vendin e dytë. Pra ata janë dy humbës kronikë, njëri ka vulën dhe tjetri që është i papëlqyeshëm nga faktori ndërkombëtar. Ata luftojnë për mbijetese e tyre dhe durrsakët nuk të mbështesin mbijetesën sepse durrsakët duan zhvillimin”, deklaroi Gjiknuri.

Kandidatja Emiriana Sako gjatë fjalës së saj tha se, përpara 13 vitesh kur hyra në bashkinë e Durrësit si një arkitekte specialiste nuk e kisha menduar kurrë që do të kisha privilegjin dhe besimin për të kandiduar si kryetar e bashkisë Durrës, për këtë falenderoj kryeministrin Edi Rama dhe të gjithë socialistët që më kanë sjellë sot këtu si kandidate të kësaj force politike.

Ajo vuri në dukej mbështetjen e madhe që Rama i ka dhënë gruas për të qenë faktor në politikë.

“Në bashkinë Durrës 59% e specialistëve janë gra dhe vajza që marrin vendime nga më të thjeshtat deri tek më të vështirat. Puna është i vetmi argument dhe forcë e imja”, tha Sako.

Ajo solli në vëmendje se në këto dy vite që drejtoi bashkinë Durrës u ndesh me situata të vështira si nga pandemia dhe nga tërmeti, por tha ajo me mbështetjen e Kryeministri Rama ne ia dolëm. “Rindërtimi nuk është propagandë por është punë dhe fakte kemi dhënë 6 mijë bonuse qiraje dhe sot ky numër është 3 500 që do të thotë se kemi dhënë 15 mijë grante rikonstruksioni, janë riparuar 4500 pallate dhe 180 të tjera do të fillojnë nga puna shumë shpejt. Kemi filluar punën në zonën e Spitallës, ndërsa në Manzë janë 226 apartamente ku do të akomodohen familjet e para. Durrësit me Rindërtimin iu hap një kapitull i ri zhvillimi ndërsa kemi projektin e ri të Marinës turistike, Portin e ri tregtar në Porto Romano, Projekti i Amfiteatrit, rijetësimi i gjithë qendrës kulturore, shëtitorja e plazhit është një projekt që nisim së shpejti ndërsa do të vijojmë me projektin e eficiencës së energjisë dhe projektet e reja në bujqësi dhe agroturizëm”, përfundoi Sako.