Për të disatin vit radhazi, Fondacioni Heritage ka publikuar indeksin e lirisë ekonomike ku për këtë vit, Shqipëria ka shënuar një përmirësim të ndjeshëm krahasuar me një vit më parë.

Kështu, vendi ynë është rritur me 1.4 pikë në raport me vlerësimin e mëparshëm të vitit 2021.

Shqipëria, me 66.6 pikë, hyn në grupin e ekonomisë së lirë të moderuar, që është kategoria e tretë (60-69 pikë), pas ekonomisë tërësisht të lirë (80-100 pikë) dhe kryesisht të lirë (70-79.9 pikë).

Sipas raportit, gjatë pesë viteve të fundit, ekonomia e Shqipërisë u rrit nga 2017 në 2018, u ngadalësua në 2019, u kthye në negative në 2020 dhe u rimëkëmb në 2021. Shqipëria ka regjistruar një rritje të përgjithshme prej 2.2 pikësh të lirisë ekonomike që nga viti 2017, e udhëhequr nga rritja e rezultateve në të drejtat e pronësisë dhe efektiviteti gjyqësor.

Vendi ynë ka lirinë ekonomike më të madhe në rajon, duke lënë pas Maqedoninë e Veriut (53), Serbinë (59), Bosnjë Hercegovinën (68). Më keq renditen Kosova (86) dhe Mali i Zi (103).

Indeksi i lirisë ekonomike bazohet në katër kategori kryesore:
-Zbatimi i rregullave (Të drejtat e pronës; Efektiviteti Gjyqësor; Integriteti i qeverisë)
-Madhësia e qeverisë (Barra tatimore; Shpenzimet qeveritare; Shëndeti Fiskal)
-Eficienca e institucioneve rregullatore (Liria e Biznesit; Liria e Punës; Liria Monetare)
-Tregjet e hapura (Liria e Tregtisë; Liria e Investimeve; Liria Financiare).

Vlerësimet më të larta (pozitive) janë për barrën e taksave (89.1 pikë), lirinë e tregtisë (82.6) dhe lirinë monetare (82).