Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimin për kandidatin e Partisë Demokratike për Rrogozhinën në garën e 6 marsit , Ferdinand Saraçi. Report Tv me gazetarin Arsen Rusta ka mësuar ekskluzivisht se Saraçit do t’i merren gjurmët e gishtërinjve javën e ardhshme.
Verifikimi i tij erdhi pas kërkesës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), pasi ne formularin e dekriminalizimit Saraçi ka deklaruar dënimin me burg dhe gjobë në Itali për armëmbajtje pa leje. Pritet që sektori i dekriminalizimit t’i dërgoj INTERPOL Romës letërporosi për Saraçin për informacion.
Vendimi për hetim të thelluar është marrë ditën e djeshme nga njësia e Dekriminalizimit. Kjo procedurë e verifikimit të dekriminalizimit zgjat nga 30-6 muaj, për shkak të këmbimit të letër-porosive me shtet e huaja, në rastin konkret Italinë.
Kandidati i Partisë Demokratike për drejtimin e Bashkisë së Rrogozhinës, Ferdinand Saraçi, është dënuar në Itali në 18 janar të vitit 1999, me 4 muaj burg dhe 100 mijë lireta gjobë, për veprën penale të mbajtjes së armës pa leje në banesë. Referuar formularit të dekriminalizimit, kandidati i PD-së ka ndryshuar edhe emrin nga Fredi në Ferdinand. Ai thotë se ka qëndruar Itali për biznes dhe punë gjatë periudhës 1996-2001. (Shqiptarja.com)
Klikoni linkun e mëposhtëm për formularin e dekriminalizimit