Të ardhurat totale për 12–mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 510 miliardë lekë ose 101 % të planit të 12–mujorit. Krahasuar me një vit më parë, të adhurat janë rritur me 84.5 miliard lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë publikoi sot treguesit fiskalë për periudhën janar–dhjetor 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, i cilësoi këto shifra lajm të mirë duke theksuar se janë ecuri pozitive e ekonomisë.

“Ecuri pozitive e ekonomisë shqiptare. Të ardhurat totale për vitin 2021 u realizuan në masën 510 mld lekë ose 101% e planit vjetor. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat u rritën me 84.5 mld lekë ose me 20%, ndërsa krahasuar me vitin 2019 u rritën me 50 mld lekë ose me 11 %”, u shpreh Ibrahimaj.
“Do të vijojmë të jemi të angazhuar për rritjen e të ardhurave dhe realizimin e shpenzimeve publike, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë”, tha ajo.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për vitin 2021, arritën në rreth 596.2 miliardë lekë me një realizim në masën 94.9 përqind të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr.34 datë 3.12.2021 (AN nr.34). Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020 ky zë ka rezultuar 11.1 përqind më i lartë ose rreth 59.7 miliardë lekë më shumë.

Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin për vitin 2021 rezultoi në rreth 85.8 miliardë lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 444.3 miliardë lekë, 71.2 miliardë ose 19.1% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 26.1 miliardë ose 6.2% më shumë se plani 12-mujor për vitin 2021.