Belind Këlliçi është sot njeriu që rri pas Sali Berishës në çdo takim të foltores, si dikur Lulzim Basha. Por, publiku di shumë pak për djaloshin që Basha i besoi FRPD, përpara krisjes së madhe me Berishën. Madje, edhe vetë Belindi nuk është se rrëfen shumë, fjala që bie për punët që mund të ketë kryer para se të bëhej deputet i PD-së në vitin 2021.
Megjithatë, tek ai bie në sy fakti se bën një jetë të mirë, e madje ka në zotërim edhe një makinë të shtrenjtë, tip X5, e cila kushton jo më pak se 30.000 euro. Me një vëzhgim të thjeshtë në profilet e tij sociale, me foto nga takimet e foltores, bie në sy edhe diçka tjetër: Një orë luksoze, që duket të jetë e markës “Hublot”, një nga më të shtrenjtat në botë.
Çmimi i orës që Belindi e reklamon pa ndonjë ngurrim, fillon nga 7 mijë dollarë e vijon deri mbi 100 mijë dollarë, ç’ka e ka bërë këtë markë një nga më të preferuarat e njerëzve më të pasur të botës. Sa për ilustrim, një orë të tillë e reklamon edhe ylli i PSG, Kylian Mbappe.
Siç ka deklaruar në ILDKP, deputeti Këlliçi zotëron edhe 1.000 m2 pemëtore në Ibë, një makinë BMË X5 dhe llogari bankare. Jo keq për një deputet të ri, aq më tepër që po t’i hedhësh një sy jetëshkrimit të tij të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, zbulon se në fakt ka punuar vetëm pak vite me një rrogë shteti (dy vjet si drejtor në Agjencinë Kombëtare të Turizmit (2009-2011) me rrogë 800 mijë lekë të vjetra, dhe përgjegjës sektori në Drejtorinë e Artit dhe Kulturës në Bashkinë e Tiranës (2011-2015) me rrogë 700 mijë lekë të vjetra).
Puna e tretë e Belindit, që ka një vit që e kryen, është puna e deputetit. A mund ta blesh një makinë BMË X5 apo një orë “Hublot” me të ardhura vetëm nga rroga e shtetit?