Kryeministri përmes një postimi në rrjetet sociale u përgjigjet komenteve që shprehen se Këshillimi Kombëtar duhet të ishte bërë që në mandatin e parë. Ai pohoi se gjatë punës mësohen shumë gjera të reja dhe ky kuvendim popullor nuk është një ide e vjetër, po një praktikë e re e këtij mandati të ri.
Ai theksoi se: “Këshillimi Kombëtar është një shprehje e re e vullnetit të mirë, për t’i përshirë në vendimmarrjet tona qytetarët pa dallime partiake. Disa shkruajnë se nuk e plotësojnë pyetësorin, sepse nuk kanë fare besim që opinionet e tyre mund të merren parasysh. Beso dhe kontrollo, thotë Populli. Asgjë nuk kushton besoj dhënia e opinioneve për 12 çështjet e hedhura për këshillim, krahasuar me harxhimin e kohës për komente që mund të lihen për më vonë. Le t’ia lemë kohës pas përfundimit të këtij këshillimi të parë, që të tregojë me fakte se sa seriozisht e ka qeveria këtë proces. Deri atëherë mund të them vetëm se ne nuk do të kishim asnjë arsye ta ndërmerrnim këtë nisëm të re, po të mos e kishim shumë seriozisht qëllimin e saj. Disa të tjerë thonë se nuk janë pyetjet e duhura apo se duheshin edhe pyetje të tjera. Ne kemi shprehur hapur dhe ndershmërisht dilemat tona për ato 12 çështje. Mbase kur t’i kthehemi kësaj here të parë pas dy a tre vitesh, do të mendojmë se mund të ishte konceptuar më mirë, organizuar më mirë, shpjeguar më mirë, e me radhë. Sepse puna mund të na mësojë gjëra që sot nuk i marrim dot me mend.”
“Por modestisht besoj se kjo nuk është një arsye për të mos e dhënë opinionin për këto çështje. Fundja kur ka bërë vaki më parë që qeveria t’i pyesë kaq drejtëpërdrejt qytetarët e këtij vendi, shtëpi më shtëpi? Le t’ia japim një shans kësaj përpjekjeje të re, ku të marrurit me politikë nuk është sharje, akuzë, përçarje, tifozllëk, sherr, kush jemi ne e kush jeni ju, po është diskutim me njerzillëk e atdhedashuri, mbi çështje shumë konkrete që kërkojnë vendimmarrje konkrete” u shpreh ai.
Kryeministri fton të gjithë shqiptarët të japin opinionin e tyre në linkun www.keshillimikombetar.al për të mësuar, bashkëpunuar dhe mbështetur njëri-tjetrin si qytetarë. Deri mbrëmjen e djeshme, 164,851 qytetarë janë përfshirë në këtë kuvendim popullor.