Kosova ka regjistruar gjashtë viktima dhe 1,283 raste të reja me koronavirus, bëri të ditur të dielën Ministria e Shëndetësisë. Rastet e reja dolën pas testimit të 6,696 mostrave. Sipas kësaj shifre, del se 19.16 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë me sëmundjen COVID-19. Në 24 orët paraprake janë shëruar edhe 4,397 pacientë, tha Ministria e Shëndetësisë.
Aktualisht, raste aktive me koronavirus janë 26,977. Sa i përket vaksinimit, në 24 orët paraprake janë administruar 1,239 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Në Kosovë, aktualisht me dy doza të vaksinës janë imunizuar 808,218 persona. Qytetarët nga mosha 12-vjeçare mund të imunizohen kundër koronavirusit, ndërkaq, personat nga mosha 18-vjeçare, që janë imunizuar me dy doza para tre muajsh, mund ta marrin edhe dozën e tretë apo atë përforcuese të vaksinës kundër koronavirusit.
Në Kosovë përdoren dy lloje vaksinash, ajo e AstraZenecas dhe e Pfizer/BioNTech.