Rusia ka hedhur dyshime se vendet perëndimore po rekrutojnë në fshehtësi mercenarë nga vende të Ballkanit Perëndimor, posaçërisht nga Shqipëria, Kosova e Bosnje-Heregovina për t’i dërguar në Donbas dhe vende të tjera për të provokuar Moskën. Vetë ministri i jashtëm Sergei Lavrov tha se këto informacione po verifikohen.
Më shumë se një fakt, duket se deklaratat nga zyrtarët rusë mbeten në kuadër të propagandës duke mos pasur asnjë fakt.
Shqipëria e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e vendasve të saj, si ushtarë në vendet e tjera. Kodi penal ne kreun VII të tij , si dhe nenet 265/a,265/b dhe 265/c parashikojnë sanksione për pjesëmarrësit në veprime luftarake në një shtet të huaj (ndryshime sipas ligjit nr. 98, datë 31.7.2014).
Disa vite më parë, Kuvendi do të miratonte unanimisht propozimet e socialistëve që sapo kishin ardhur në pushtet për amendimin e Kodit Penal duke ashpërsuar masat ndaj personave që luftojnë jashtë vendit. Aktualisht Kodi penal parashikon 10 deri në 15 vjet me burgim personat që nxisin rekrutojnë apo janë pjesëmarrës në luftën në vendet e huaja apo të njohur si muxhahedinët.
Në atë kohë këto ndryshime u konsultuan dhe me asistentët juridikë të SHBA-ve të njohur si OPDAT, si dhe me ministritë në vend.
Kodi Penal parashikon që për nxitjen, trajnimin, rekrutimin apo luftimin në vende të huaja dënimi të jetë 10 deri në 15 vjet.
Ndërkaq, Shqipëria është ndër vendet e pakta që një gjë të tillë e ka të përcaktuar edhe në Strategjisë ndërsektoriale të luftës kundër terrorizmit, 2021–2025 dhe të planit të veprimit 2021–2023
“Qeveria Shqiptare, e ka vlerësuar luftën kundër terrorizmit si një prioritet kombëtar, duke qenë ndër vendet e para që në zbatim të Rezolutës 2178 (2014) ndërmori hapa konkretë të reflektuara në legjislacionin kombëtar. Duke ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, u synua forcimi i aftësisë së adresimit të problemit të luftëtarëve të huaj terroristë, duke e konsideruar të paligjshme dhe të ndëshkueshme pjesëmarrjen, organizmin apo çdo nxitje për pjesëmarrje në veprime ushtarake të një vendi të huaj. Të vendosur për të arritur rezultate të prekshme dhe për të treguar progres real, janë marrë masa për rishikimin, forcimin dhe ndryshimin e mekanizmave aktualë të kontrollit të financimit të terrorizmit dhe ngrirjes së aseteve për individë dhe subjekte të përfshirë në aktivitet terrorist”, thuhet në Strategji.