Në Itali u nënshkruan sot marrëveshjet për diploma të dyfishta midis universitetit të Tuscia-s në Itali dhe universiteteve shqiptare: Universiteti i Tiranës, Universiteti Politeknik i Tiranës, Universiteti Bujqësor, Universiteti Mesdhetar. Marrëveshjet janë në fushën e Biologjisë mjedisore në Bachelor me Universitetin e Tiranës; Pyjeve dhe mjedisit për UBT; Inxhinierisë mekanike me UPT në nivel master dhe Marketingut me UMSH.

Marrëveshjet parashikojnë që studentët në këto programe të bëjnë një vit studime në Shqipëri dhe një vit në Itali. Në përfundim studentët do të marrin diploma të dyfishta. Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi u shpreh se, “kjo marrëveshje synon të bëjë të mundura diplomat e dyfishta të doktoraturës për kërkuesit në mjekësi të dy vendeve tona, të cilët do të kenë mundësi të studiojnë dhe zhvillojnë veprimtari kërkimore të ndjekur njëherësh pranë dy universiteteve duke zhvilluar më së miri aftësitë e tyre”.

“Për mua është edhe një krenari, është vërtetë arsye për të qenë krenare fakti që jemi ëktu të gjithë së bashku, rektorët e universiteteve të Lazios, universitete kaq të vlerësuara dhe të larta dhe rektorët e Universiteteve shqiptare, për të dëshmuar që bashkëpunimi në fushën akademike tashmë është ngritur në një nivel të lartë dhe në avangardë. Një bashkëpunim, i cili duhet t’u paraprijë të zhvillimeve mes vendeve tona”, tha Kushi.

“U bënë tashmë disa muaj që kemi kontakt të vazhdueshëm me Universitete të ndryshme të Italisë nga veriu në jug dhe janë disa projektet konkrete të bashkëpunimit. Siç janë diplomat e përbashkëta apo të dyfishta me Universitetet e Tiranës, Vlorës, Elbasanit e kështu me radhë. në muajt e ardhshëm ne të MAS në Shqipëri do të përqendrohemi në procesin e vlerësimit dhe miratimit për t’u dhënë këtyre programeve mundësinë që të fillojnë vitin e ardhshëm akademik”, theksoi Kushi.

Sigurisht, shtoi Kushi, “këto programe do të shërbejnë për të rritur më tej aftësinë formuese të universiteteve tona, të kërkimit shkencor të vazhduar si dhe për të thelluar edhe më shumë mobilitetin dhe shkëmbimin e studentëve dhe profesorëve. Komponenti i mobilitetit i programit Erasmus mund të përdoret dhe shfrytëzohet edhe më shumë dhe të shërbejë si një pikë nisje për bashkëpunime të mëtejshme”.