Prokurimet më domethënëse të Forcave të Armatosura shqiptare për mjete, pajisje, armatim dhe shërbime do të kryhen nga Agjencia e NATO-s për Mbështetjen dhe Prokurimet (NSPA).
Prokurimet nëpërmjet NSPA do të garantojnë, jo vetëm ekspertizë më të madhe në hartimin dhe zbatimin e kontratave, por edhe çmime më të mira, duke qenë se kjo agjenci ka një fluks shumë herë më të lartë në marrjen e shërbimeve dhe blerjen e pajisjeve nga operatorët më të mëdhenj globalë që operojnë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Ministri i Mbrojtjes z. Niko Peleshi zhvilloi një vizitë në selinë e kësaj agjencie në Luksemburg, ku u prit nga menaxherja e Përgjithshme, znj. Stacy Cummings.

Pasi i uroi mirëseardhjen, znj. Cummings dhe stafi i saj e njohën ministrin Peleshi dhe delegacionin me disa prej detyrave dhe përgjegjësive kryesore të NSPA. Ajo vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që NSPA ka me vendin tonë dhe që kulmon me projektin e bazës ajrore Kuçovë.

Nga ana e tij, ministri Peleshi falënderoi znj. Cummings për mikpritjen dhe e përgëzoi atë për lidershipin e treguar në drejtimin e kësaj agjencie, të cilën ai e konsideroi si jetike për suksesin e NATO-s në operacione dhe misione, me mbështetjen dhe shërbimet që ofron për Aleancën dhe vendet partnere. Në këtë kontekst, ai veçoi projektin e transformimit dhe modernizimit të bazës ajrore të Kuçovës, ku NSPA luan një rol tepër të rëndësishëm.

Bazuar edhe në suksesin e këtij projekti, zoti Peleshi diskutoi me znj. Cummings mbi mundësi të reja bashkëpunimi me NSPA, ku ndër më kryesoret përmendi: vijimin e bashkëpunimit për mirëmbajtjen e helikopterëve të flotës ajrore të FARSH; mundësi mbështetje për sistemin e Ermergjencave Civile të vendit tonë; realizimin e projektit për kompletimin e FARSH me spital fushor Role-2, si dhe sigurimin e transportit strategjik për efektivë të FARSH të angazhuar në misione dhe operacione të ndryshme.

Në përfundim të këtij takimi, ministri Peleshi e siguroi znj. Cummings se bashkëpunimi i shkëlqyer që vendi ynë ka me NSPA, do të njohë vetëm rritje në vitet në vijim pasi, ekspertiza e stafit të kësaj agjencie dhe fusha e gjerë e shërbimeve që ajo ofron, do të kontribuojnë në rritjen e operacionalitetit dhe gatishmërisë së strukturave të ndryshme të Forcave tona të Armatosura.