Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca zhvilloi sot një takim me kërkesë nga blegtorët e protestës së Jorgucatit në qarkun e Gjirokastrës.

Në takimin e zhvilluar me blegtorët për të diskutuar çështjet e ngritura në lidhje me çmimin e qumështit Krifca u shpreh se, “ky është malli juaj, kjo është djersa juaj. Prandaj duhet të uleni bashkë e të thoni: Qumështin ne do ta shesim me kaq!”.

Krifca theksoi se, “duhet të bashkoheni. Nëse nuk bashkohesh nuk i akseson dot as fondet. Duhet organizmin. Ne kemi zgjedhur të jemi në demokraci. Në demokraci tregjet rregullohen nga kërkesë oferta. Secili në punën e vet në prodhim e në shitje së bashku. Ne kemi pasur detyrë të rrisim financimet dhe i kemi katërfishuar”.

“Mua më janë ankuar prodhuesit se nuk ka qumësht mjaftueshëm. Propozimi im është që të bëjmë një takim të përbashkët. Do t’ju thërras në Ministri, ju se bashku me përpunuesit e qumështit për të gjetur ekuilibrat e duhur. Ata ne i kemi mbështetur për të rritur standardin e përpunimit e për ta sjellë tek konsumatorët final në cilësinë e duhur sipas kërkesës në raftet e marketeve, siç e duan konsumatorët”, tha ministrja.

Blegtorët adresuan tek ministrja gjithashtu çështje të pushtetit vendor mbi kullotat, nevojat për investime në lera.