Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka u shpreh sot se pozicioni i Shqipërisë për situatën në Ukrainë është shumë i qartë dhe i linjëzuar 100% me aleatët tanë.

Në një deklaratë për emisionin “Opinion”, Xhaçka e cilësoi situatën në Ukrainë vërtetë shqetësuese.

“Të gjitha përpjekjet për të gjetur një zgjidhje diplomatike deri tani nuk kanë dhënë rezultat. Bëhet fjalë për një situatë, sa fluide, aq edhe të paparashikueshme dhe ashtu si të gjithë aleatet e tjerë në NATO dhe BE ne shpresojmë që nuk do të ketë luftë, por lufta është një mundësi reale. Është kjo arsyeja pse ashtu si edhe shumë vende të tjera u kemi bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që janë në Ukrainë, apo që udhëtojnë drejt Ukrainës që të largohen që andej sa më parë apo të mos ndërmarrin udhëtim drejt atij vendi. E përsëris kjo është një thirrje e motivuar nga kujdesi dhe meraku që kemi për qytetarët shqiptarë, pasi në rast se vërtetohet skenari më i keq, ai i luftës, do të ishte shumë e vështirë për ne që t’u vinim në ndihmë apo që t’i mbështesnim për t’i larguar nga Ukraina”, theksoi Xhaçka.

“MEPJ ka vënë në dispozicion disa adresa e-mail dhe një numër telefoni, përmes të cilave qytetarët e interesuar mund të kontaktojnë, si me përfaqësitë tona apo shërbimet tona konsullore, për më shumë informacion”, tha Xhaçka.

“Pozicioni i Shqipërisë është shumë i qartë dhe besoj që është artikuluar më shumë se një herë në komunikime të ndryshme jo vetëm nga kryeministri dhe unë, por edhe nga zyrtarë të MEPJ në NATO, në OSBE apo në Këshillin e Sigurimit në OKB. Është një qëndrim në fakt i linjëzuar 100% me aleatët tanë”, theksoi ajo.

“Ne mbështesim në mënyrë të palëkundur e pa asnjë hezitim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ne mbështesim të drejtën sovrane të Ukrainës, ashtu si të çdo vendi tjetër, për të zgjedhur rrugën e tij, aleancat e tij, apo modelin e tij të qeverisjes. Pra, është e drejta e Ukrainës dhe e qytetarëve të Ukrainës të vendosin nëse e shohin të ardhmen e tyre më afër BE-së apo Rusisë, në NATO apo të paangazhuar. Dhe asnjë vend tjetër, nuk ka të drejtën t’i mohojë një vendi sovran të drejtën e zgjedhjes”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka

“Ne besojmë po ashtu që e kemi shprehur qartë bashkë me aleatët tanë që kërcënimi me luftë nga ana e Rusisë është një sfidë për të gjithë rendin evropian të sigurisë, por edhe për arkitekturën ndërkombëtare të sigurisë. Për të gjitha këto arsye Shqipëria ka qenë dhe mbetet thellësisht e angazhuar, duke luajtur madje do thosha një rol të dorës së parë, sidomos pas fillimit të mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit, ku kemi një bashkëpunim vërtetë të ngushtë me SHBA-të, duke ndarë madje me to për çështjen e Ukrainës, atë që quhet “pen-holdership” apo bashkë-autorësi për çdo iniciativë në Këshillin e Sigurimit që lidhet me Ukrainën. Çka padyshim që do të na japë mundësinë që të jemi akoma dhe më aktivë lidhur me këtë situatë në të ardhmen sigurisht në varësi të rrethanave apo të skenarëve që do të vërtetohen”, tha Xhaçka.