Kryeministri Edi Rama zbuloi gjatë bashkëbisedimit me gazetarët në SHBA se ka diskutuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, edhe për dialogun mes Kosovës e Serbisë dhe nismën e Ballkanit të Hapur.
Sa i përket kësaj të fundit, Rama tha se SHBA e mbështet 100% nismën, duke shtuar se muajt në vijim priten gjëra të reja në këtë drejtim. Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, Rama tha se ka diskutuar me Blinken mbi zgjidhjen e konfliktit të pambarimtë me dialog mes dy vendeve.
“Nuk dua të nxitohem, as të flas përpara kohe, për gjëra që janë në proces. Ne po i përgatisim dhe me shumë kujdes do të shohim se si mund t’i vendosim në tryezë. Dihet qëndrimi ynë. Ne jemi shumë mbështetës të dialogut. Këtë e kemi diskutuar edhe me Sekretarin, nevojën për thellimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës dhe domosdoshmërinë që me dialog të arrihet në një përfundim të shumëpritur të këtij konflikti të pambarimtë. Nga ana tjetër, jam shumë i kënaqur që administrata e re amerikane e ka mbështetur plotësisht. Është 100% në mbështetje të Ballkanit të Hapur dhe jam i bindur se në muajt në vijim do të kemi gjëra të reja në Ballkanin e Hapur. Kemi folur me Blinken për Ballkanin e Hapur dhe mbështetja është 100%”, tha Rama.
Më tej, Rama foli dhe për miqësinë me kryetarin e Bashkisë së Nju Jorkut, teksa tha se miqësia e tyre ka nisur para se ai të bëhej kryebashkiak dhe vijon ende.
“Jemi miq me kryetarin e Bashkisë së Nju Jork, para se të zgjidhej. Jemi takuar edhe më parë, kur ai nuk ishte kandidat, kur ishte kandidat. E lajmërova që do të kishim këtë event dhe do të ishim të lumtur që ai të na begeniste. Ai erdhi për të na nderuar. Është një njeri shumë i veçantë, që është bërë edhe mik i shqiptarëve, edhe për shkak se është mik i disa shqiptarëve të spikatur në Nju Jork, përmes të cilëve unë e kam njohur atë”, u shpreh kryeministri.
Sa i përket Këshillimit Kombëtar, Rama tha nga SHBA se “Dje kanë kaluar 300 mijë pyetësorë të plotësuar përmes postës online. është një shifër shumë domethënëse. Shpërndarja e plotë kryhet më 22 shkurt. Kemi filluar procesimin e pyetësorëve, proces ky që kërkon më shumë kohë. Jam i kënaqur, sepse reagimi ka qenë pozitiv. Është hera e parë dhe ka shumë gjëra që do t’i bënim më mirë vitin e ardhshëm. Por duam ta përfshijmë mendimin e njerëzve në vendimmarrjen e qeverisë”.