Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot paradite ambasadorin e ri të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sulaiman Humand Salem Al Mazroui.
Kryetarja Nikolla i uroi ambasadorit Sulaiman Humand Salem Al Mazroui suksese në misionin e tij si ambasador jorezident në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e Kuvendit në përmbushjen e këtij misioni.
“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe janë shumë të mira dhe Shqipëria ka vullnetin politik për forcimin dhe zgjerimin e tyre. Ne duhet të punojmë edhe për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, i cili do të nxisë bashkëpunimin politik, ekonomik dhe në fushën e investimeve si edhe do të kontribuojë në forcimin e miqësisë midis popujve tanë. Bashkëpunimi midis grupeve parlamentare të miqësisë do të mbështesë bashkëpunimin parlamentar dhe në fusha të tjera”, vuri në dukje kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Ambasadori Sulaiman Humand Salem Al Mazrou nënvizoi se do të kontribuojë në forcimin e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe do të nxisë me përparësi bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe të investimeve, në mënyrë që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga përvojat bashkëkohore të vendit të tij në mjaft fusha si zhvillimi i transportit detar, transportit ajror, turizmit etj.