Nënvarianti i Omicron, i cili besohet se është më ngjitës sipas disa studimeve tashmë është përhapur në 57 vende, sipas një njoftimi të Organizatës Botërore të Shëndetsisë. Varianti Omicron, i cili po përhapet dhe po ndryshon me shpejtësi, tani është bërë dominant në botë.
Në raportin javor, OBSH thekson se ky variant, i identifikuar në 93% të të gjitha mostrave gjatë muajit të kaluar ka disa nënvariante: BA.1, BA.1.1, BA.2 dhe BA.3. Dy të parat, të identifikuara fillimisht, përmbajnë mbi 96% të gjenomit Omicron.
Megjithatë, ka një rritje të qartë të numrit të rasteve me BA.2, i cili ka disa mutacione të ndryshme në krahasim me versionin origjinal, veçanërisht në proteinën spike, e cila është vendimtare për kalimin e virusit në qelizat njerëzore. Disa studime të fundit kanë treguar se BA.2 është edhe më ngjitës se forma origjinale e variantit Omicron.
Maria Van Kerkov, një nga ekspertët më të rëndësishme të OBSH-së për COVID, tha se informacioni mbi nënvariantin është ende i kufizuar, megjithatë disa të dhëna fillestare tregojnë se BA.2 tregon një “rritje të lehtë” të infektivitetit “krahasuar me BA .1”.
Në përgjithësi mendohet se Omicron shkakton një formë më pak të rëndë të COVID-19 sesa variantet e mëparshme të SARS-CoV-2, dhe Van Kerkov tha se nuk kishte asnjë indikacion deri më tani që BA.2 shkaktonte simptoma më të rënda.