Portugalia do të lehtësojë kufizimet për udhëtarët që mbajnë një certifikatë shëndetësore evropiane duke filluar nga nesër, sidomos duke mos kërkuar më një test negativ për Covid-19 përpara se të hyjnë në territor, sipas një dekreti të botuar sot.

”Udhëtarët që posedojnë një certifikatë dixhitale të BE-së për Covid ose çdo provë tjetër të njohur të vaksinimit do të përjashtohen nga paraqitja e një testi negativ pas mbërritjes në territorin kombëtar”, sipas këtij vendimi të qeverisë.

Certifikata digjitale Covid e Bashkimit Evropian vërteton një vaksinë, një test ose shërim nga infeksioni me Covid-19 për më pak se gjashtë muaj.

Ashtu si vendet e tjera evropiane, Portugalia kishte kërkuar, që nga fillimi i dhjetorit, që pasagjerët mbi 12 vjeç, madje të vaksinuar kundër Covid-19, të paraqisnin teste negative për të hyrë në vend.

Ky vendim i ri i qeverisë portugeze ndjek rekomandimet evropiane për të koordinuar më mirë rregullat e zbatueshme për udhëtimet brenda BE-së dhe për të shmangur vendosjen e kufizimeve për mbajtësit e një certifikate shëndetësore evropiane.

Gjithashtu, periudha e vlefshmërisë së testeve antigjenike është ulur në Portugali, nga 48 në 24 orë.

Ashtu si shumica e vendeve të tjera në mbarë botën, Portugalia po përjeton një rritje të infeksioneve të reja të lidhura me variantin Omicron.

Vendi raportoi dje më shumë se 41 000 kontaminime në 24 orë dhe 44 vdekje.