Autoriteti Rrugor Shqiptar informoi sot se duke filluar nga dita e dielë, 13 shkurt, do të ndryshojë drejtimi i lëvizjes për mjetet në Unazën e Madhe të Tiranës, për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e lotit 3.
Sipas ARRSH -së, automjetet që do të vijnë nga autostrada Elbasan-Tiranë, pas daljes nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta në drejtim të rrugës “Teodor Keko”, do të devijojnë djathtas duke përdorur karrexhatën e re të rrugës dytësore të Lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të O-Zone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në Lotin 2.
Ndërkohë, për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të kenë ndryshime në qarkullim.
ARRSH kërkoi mirëkuptimin e banorëve dhe përdoruesve të rrugës për këto ndërhyrje që po kryhen në këtë aks deri në përfundimin e plotë të këtij projekti.
Unaza e Madhe e kryeqytetit përbën një segment prej 27 kilometrash të gjatë. Përfundimi i saj në vitin 2023 do të lehtësojë trafikun brenda Tiranës, ndërsa do të lidhë kryeqytetin me të gjithë rrugët dalëse kombëtare.