Pjesë e Këshillimit Kombëtar, tashmë do të jenë edhe personat që nuk shikojnë, pasi pyetësori do t’u mundësohet i formatuar sipas kodit Braille.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga puna që po kryen Emiliano Lule për të përfshirë edhe këtë komunitet në vendimmarrje.
“Emiliano Lule i është bashkuar sot Këshillimit Kombëtar për të plotësuar pyetësorin dhe ndihmuar qytetarët me pamundësi shikimi që të përfshihen, duke e transkriptuar atë sipas kodit Braille”,u shpreh Rama, duke përcjellë edhe falënderimin e tij.
“Lexojmë ndryshe, edukohemi njëlloj dhe përmes këtij pyetësori të shtypur në gjuhën Braille për njerëzit që nuk shikojnë është mënyra sesi të gjithë mund të përgjigjemi për shtëpinë tonë, Shqipërinë”, u shpreh Lule.
Në 5 janar të këtij viti, Kryeministri Rama njoftoi nisjen e procesit të Këshillimit Kombëtar, përmes të cilit qytetarët do të shprehin mendimin e tyre lidhur me çështje që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.