Nxënësit dhe mësuesit e gjimnazit “Aleksandër Moisiu” në Kavajë kanë tashmë ambiente moderne për të zhvilluar procesin mësimor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje se si ishte kjo shkollë dhe si është transformuar pas rikonstruksionit.
“Gjimnazi i rilindur “Aleksandër Moisiu” në Kavajë është një tjetër shkollë e re me financim 100% nga qeveria shqiptare”, tha Rama.
Gjimnazi “Aleksandër Moisiu” në Kavajë u përurua një ditë më parë nga ministrja e Arsimit dhe Sportit. Godina e gjimnazit është tjetërsuar në një ambient modern, që i plotëson të gjitha standardet me ambientet sportive, klasat, laboratorët e fizikës, biologjisë dhe informatikës, etj.
Gjimnazi “Aleksandër Moisiu” e nisi rrugëtimin e tij në vitin 1956 në një ndërtesë të vjetër dikur shkolla 7-vjeçare “29 Nëntori”, në të cilën u hap klasa e parë e gjimnazit me kërkesën këmbëngulëse të popullit arsimdashës të qytetit të Kavajës për të pasur një shkollë të mesme.