Kryeministri Edi Rama ka replikuar me një komentues në Facebook, i cili i kërkon llogari për rritjen e çmimit të naftës. Teksa kryeministri postoi foto nga Golemi mbi përfundimin e procesit të rindërtimit, komentuesi i shkruan që të lerë ndërtimin dhe të shohë çmimin e naftës

“O shih çmimet po leji ndërtimet..se na mbyte 200 lek nafta, nuk punojmë të gjithë si ju pushtetarët, kemi fatura që i paguajmë me rrogë, a e di se ça është rroga o meer…”, i shkruan komentuesi.

E drejtpërdrejtë ishte përgjigjja e Ramës i cili shkruan se rritjen apo uljen e çmimeve e dikton tregu dhe jo qeveria, teksa shton se për të ndihmuar qytetarët, po mbajnë çmimin e energjisë të pandryshuar në kushtet kur është rritur ‘kacafiu’ në Rajon e më gjerë. E sa për ndërtimet, Rama thotë se nuk ka ndërmend t’i lërë sepse ka akoma familje që duan të kthehen në shtëpi pas shkatërrimit nga tërmeti.

“I shikoj çmimet si jo, po çmimet në pazar i ngre dhe i ul tregu jo qeveria, ndërkohë që pikërisht pse e di mire çfarë është rroga po e mbajmë çmimin e energjisë aty ku ishte, duke e subvencionuar nga arka e shtetit, ndërkohë që kudo në rajon e më tutje është rritur kacafiu! Ndërsa ndërtimet nuk i lë në asnjë mënyrë, sepse ka akoma familje që duan të kthehen në shtëpi pas shkatërrimit nga tërmeti”, iu përgjigj Rama.

Çmimi i naftës është rritur ndjeshëm, duke shkuar afro 200 lekë, duke arritur një rekord të ri. Nafta shënon sërish rritje, ku një litër blihet me 193 lekë nga 187 lekë sa ishte në tetor, ndërsa benzina me 195 lekë. Ndërkohë që gazi ka arritur në 94 lekë, nga 82-89 lekë që është luhatur deri më tani. Në më pak se një vit kjo është hera e shtatë që çmimet e hidrokarbureve rriten në Shqipëri. Ministrja e Financave ka sqaruar më parë se këto luhatje të çmimeve vijnë si pasojë e tregjeve ndërkombëtare, ndërsa theksoi se qeveria nuk do të ndërhyjë në treg.