Kryeministri Edi Rama ka ndarë mëngjesin e sotëm pamje nga hapësira ku operatorët hedhin në sistem të dhënat dhe përgjigjet e pyetësorit të Këshillimit Kombëtar.
Aktualisht punohet me kapacitet të pjesshëm por në vazhdim do të jenë 40 operatorë që do të merren me këtë proces. Një prej tyre shpjegon që të dhënat do të bashkohen në sistem me përgjigjet që vijnë nga platforma online.
Rama shprehet se duhet ta dëgjojmë më shumë njëri tjetrin për shtëpinë tonë Shqipërinë.
“Mirëmëngjes dhe me hapësirën ku mblidhen përgjigjet e 12 pyetjeve të Këshillimit Kombëtar që vijnë përmes postës, si edhe duke ju ftuar ta dëgjojmë sa më shumë njëri-tjetrin për shtëpinë tonë, Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.