Nga Mero Baze

Shpallja e koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, mes LSI dhe demokristianëve të Nard Ndokës, që do të marrin hua 6 kandidatët e zhvlerëson gjithë procesin e “primareve”. Ky zhvillim e bën procesin e votimit në “primare”, një proces fiktiv, me kandidatë të paracaktuar dhe negociuar mes Sali Berishës dhe Ilir Metës (nuk kam dijeni për Nard Ndokën) dhe mbi të gjitha, një proces fyes për demokratët që besuan gënjeshtrën e Sali Berishës.

Së pari, një proces i lirë zgjedhjesh brenda PD, presupozohet se nxjerr kandidatët që voton shumica e demokratëve. Si ka mundësi që ky proces në të cilin votuan demokratët, ka nxjerrë “fitues” kandidatë që i pëlqejnë Ilir Metës dhe Nard Ndokës pa asnjë debat!

Kjo është e gjitha një hipokrizi, pasi ata nuk janë kandidatë të zgjedhur, por të negociuar mes Metës e Berishës, dhe të paracaktuar.

Së dyti, ky është një proces fals, pasi është zhvilluar nën premtimin që kandidatët do përfaqësonin listën e “Foltores” dhe do votohej për ta. Askush nuk e tha para votimit se këta do jenë kandidatë të Ilir Metës dhe Nard Ndokës.

Kjo do të thotë se dhe oferta e demokratëve për këtë koalicion mund të ishte e ndryshme nga negociatat e nëndheshme për gjashtë emrat. Si i tillë, ky proces ka fyer demokratët, pasi Sali Berisha është tallur me ta, duke i thirrur në një proces votimi për të zgjedhur kandidatët e tyre dhe jo të Ilir Metës e Ndokës.

Së fundmi, që është dhe më e rëndësishme, ky është një proces poshtërues për votën e lirë që premtoi Sali Berisha. Pra në rastin e parë që ata patën për të besuar premtimin e Berishës për zgjedhje të lira brenda demokratëve, u ndeshën me një farsë, ku kandidatët ishin paracaktuar dhe ata bënin sikur votonin kandidatët e tyre, por në fakt votonin kandidatë të Metës dhe Ndokës.

Kjo tregon mungesën e thellë të respektit që Berisha ka për votën e lirë brenda demokratëve, një kauzë të cilën u përpoq ta bënte kalë beteje kundër Lulzim Bashës në parti.

Shpallja e “Shtëpisë së Lirisë” menjëherë pas zgjedhjeve fiktive dhe sqarimet e Berishës se ishte takuar më parë me Ilir Metën (formalisht ende president) dhe kishin vendosur gjithçka, është dëshmi e talljes së tij me këtë proces dhe me gjithë ata që morën pjesë.

Tani “Shtëpia e Lirisë në fakt është “Shtëpia e Ilirit” dhe do t’u ofrojë shqiptarëve kandidatë të listës Berisha, për t’i besuar qeverisjen në disa bashki. Po si mund mund t’i besojnë tani qytetarët një liste që Berisha nuk ka pranuar ta rregjistrojë si të vetën edhe pse i kishte mundësitë?

Të gjithë e kuptojnë se ai nuk do të marrë as përgjegjësi për humbjen, duke e justifikuar atë me imazhin e Metës dhe Ndokës. Se po të kishte qoftë dhe një grimë shprese për një fitore, i kishte rregjistruar në emër të vet, pasi kishte kohë boll deri më 31 janar në mesnatë.